Hamdi Jupolli, 62-vjeçar nga Prishtina, të dielën, më 27 shkurt, siguroi 100 kilogramë miell në një nga fabrikat e miellit në qytetin e Podujevës. Dhe, ai nuk ishte i vetmi.

“Në mulli ka pasur kolona të gjata të veturave që kanë pritur që të furnizohen me miell. Frikësohem edhe nga lufta, por edhe për shkak të mundësisë së mungesës së këtij produkti në treg dhe rritjes së çmimit”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Blerja dhe krijimi i rezervave të produkteve ushqimore është një dukuri që po manifeston frikën dhe panikun e krijuar te disa qytetarë të Kosovës pas nisjes së pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Mielli duket se është produkti më i kërkuar. Vitrinat e disa dyqaneve ku shitet ky produkt, duken të zbrazura.

Jupolli, i cili punon në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, pret që të ketë rritje të çmimit të produkteve për shkak të luftës midis Rusisë dhe Ukrainës.

Edhe Miradije Ukshini, mbi të 60-tat, e cila jeton me dy fëmijët e saj në një lagje të Prishtinës, thotë se ka blerë miell, vaj dhe sheqer si rezerva për një kohë më të gjatë.

“I kam blerë 25 kilogramë miell, 16 euro kanë kushtuar. Nuk e di sa ka qenë më herët, për shkak se vazhdimisht kam blerë vetëm nga 5 kilogramë. I kam rezervuar sepse po frikësohem nga lufta. E kemi përjetuar një herë dhe situata atje [në Ukrainë] ka ngjallur frikë. Edhe çmimi po thonë se do të rritet”, thotë Ukshini.

Ndërkaq Hazbija, me profesion kontabiliste, po pret që ta marrë pagën për këtë muaj, në mënyrë që të mund të blejë gjëra ushqimore që t’i ketë si rezerva.

“Nesër, më 1 mars, po shpresoj që të dal të blej dy thasë miell, vaj…disa gjëra tjera i kam siguruar. Po, do ketë rritje të çmimeve, por edhe lufta… po frikësohem shumë sepse Kosova nuk është anëtare e NATO-s”, thekson ajo.

Për kërkesën e madhe për miell në dy ditët e fundit flasin edhe nga fabrika e miellit “Grunori” në Skenderaj, por edhe qytetarët nga Dragashi.

Musa Gashi, pronar i fabrikës “Grunori”, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë tha se aktualisht situata është më e qetë dhe nuk ka kërkesa të mëdha. Ai shton se fabrika e tij ka miell të mjaftueshëm për qytetarët e rajonit të Skenderajt deri në fushatën e korrjes së grurit në muajin korrik.

“Jemi duke bashkëpunuar me furrat e bukës që atyre t’iu sigurojmë miell në mënyrë që mos të krijohet ndonjë panik i panevojshëm te qytetarët”, thotë Gashi.

“Nuk ka nevojë për panik”
Kryetari i Shoqatës së Mullisëve të Kosovës, Bashkim Zejnullahu, konsideron se nuk ka nevojë për panik, pasi sipas tij, Kosova nuk është e varur nga Ukraina sa i përket këtij produkti.

Zejnullahu është pronar i fabrikës së miellit “Thesari” në Komunën e Kllokotit. Sipas tij, 100 kilogramë miell shitet për 44 euro dhe aktualisht nuk ka ndonjë ngritje të çmimeve.

“Kjo është vetëm një eufori e qytetarëve që duhet të sigurohet mielli”, thekson ai.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, vitin e kaluar 68,000 hektarë tokë ka qenë e kultivuar me kulturën e grurit. Me këtë sasi, sipas kësaj ministrie, Kosova mund të plotësojë 65 për qind të nevojave të popullatës me ushqim.

Pjesa tjetër importohet nga shtetet e ndryshme të rajonit dhe Bashkimit Evropian. Vetëm për dy vjet, nga shtete të ndryshme të rajonit dhe Evropës, Kosova ka importuar miell dhe grurë në vlerë prej mbi 63.5 milionë euro. Serbia, Hungaria, Kroacia dhe Austria janë vendet që kanë importuar sasi më të mëdha të grurit dhe miellit vitin e kaluar në Kosovë.

Gjatë vitit 2020, Kosova ka importuar nga Ukraina miell dhe grurë në vlerë prej 28 mijë euro, konfirmuan nga Dogana e Kosovës. Ndërkaq, për vitin 2021 nuk ka të dhëna për importe nga Ukraina.

Ukraina llogaritet të jetë një prej eksportuesve më të mëdha të miellit në botë.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, më 26 shkurt tha se “shoqatat e mullisëve dhe kultivuesit e grurit e kanë siguruar Qeverinë” që ka furnizime dhe se “për tre muaj deri në gjashtë muaj popullata jonë nuk ka nevojë të brengoset”.

Ajo shtoi se në rast nevoje, Kosova ka kanale jashtë vendit dhe mund të sigurojë rezerva shtesë./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA