Blinken: SHBA-ja ende e hapur për diplomaci, por nuk ka rrugë nëse Rusia nuk tërheq forcat

02/03/2022 21:48

Shtetet e Bashkuara “do të mbështesin përpjekjet diplomatike” të Kievit për të arritur një armëpushim dhe tërheqjen e forcave ruse nga Ukraina, kwshtu tha të mërkurën Sekretari i Shtetit Antony Blinken.

“Nëse ka hapa diplomatikë që mund të ndërmarrim dhe që qeveria ukrainase beson se do të ishin të dobishëm, ne jemi të përgatitur t’i ndërmarrim ato, edhe pse vazhdojmë të mbështesim aftësinë e Ukrainës për të mbrojtur veten. Por nëse Rusia tërhiqet dhe ndjek diplomacinë, ne jemi gati të bëjmë të njëjtën gjë. Ndërkohë, diplomacia jonë intensive me aleatët dhe partnerët vazhdon. Unë kam qenë pothuajse çdo ditë në kontakt me mikun tim dhe homologun tim Ministrin e Jashtëm të Ukrainës Kuleba. Dhe e kam bërë të qartë se ne do të mbështesim çdo përpjekje diplomatike të qeverisë ukrainase për të arritur një armëpushim dhe tërheqje të forcave ruse.”, tha ai.

Blinken njoftoi gjithashtu një raund të ri sanksionesh ndaj Rusisë, duke synuar 22 “entitete të lidhura me mbrojtjen” ruse, ndërsa Rusia po ecën përpara me pushtimin e saj në Ukrainë.

Subjektet që do të sanksionohen përfshijnë “kompanitë që prodhojnë avionë luftarakë, mjete luftarake këmbësorie, raketa, mjete ajrore pa pilot.
Blinken pati gjithashtu edhe një paralajmërim për Bjellorusinë, duke mbajtur përgjegjës regjimin e Lukashenkos si një  bashkëpunëtor në luftën e zgjedhur të Presidentit Putin.

Top Channel