Moldavia hap kufijtë për qytetarët ukrainas, vetëm këtë të enjte strehohen 4 mijë persona

24/02/2022 18:23

Presidentja Maia Sandu të enjten është shprehur se Moldavia ka hapur kufijtë e saj për të gjithë qytetarët ukrainas që duan të kalojnë tranzit ose që kanë nevojë për një strehim të sigurtë.

Përmes një postimi në Twitter, Sandu thotë se qytetarët e parë ukrainas kanë mbërritur në Moldavi, duke shënuar këtë të enjte një shifër prej 4000 personash që kanë kaluar kufirin.

Ajo thekson se qeveria moldave ka vendosur disa qendra të përkohëshme pritjeje pranë Palanca dhe Ocnita.

“Kufijtë tanë janë të hapur për të gjithë qytetarët ukrainas që kanë nevojë për tranzit apo për një qëndrim të sigurtë”, tha Presidentja e Moldavisë.

Më herët, Sandu e konsideroi agresionin rus kundër Ukrainës një shkelje flagrante e ligjit ndërkombëtar dhe sovranitetit e integritetit territorial të këtij vendi. Ajo theksoi se si një shtet neutral, Moldavia është e gatshme të ndihmojë qytetarët për nevojat e tyre humanitare.

Vladimir Putin e urdhëroi në orën 5:55 të mëngjesit me orën e Moskës nisjen e mësymjes në Ukrainë, dhe granatat e raketat e para u lëshuan vetëm disa minuta më vonë. Sirenat e emergjencës gjëmuan në kryeqytetin ukrainas, Kiev.

Të tmerruar, njerëzit kanë nxituar të largohen prej andej. Një numër i madh makinash janë parë nëpër rrugë, teksa paniku i ka përfshirë banorët e Kievit.

Ata që nuk janë larguar, iu drejtuan me nxitim bodrumeve, ndërsa stacionet e metrosë së Kievit gjithashtu raportohet se po kthehen në bunkerë të improvizuar. Dëshmitarë okularë i kanë thënë CNN se stacionet se metrove janë mbushur me njerëz, që kanë marrë sasi të mëdha ushqimi me vete. “Stacionet janë plotë, “, tha një qytetar i Kievit. Dëshpërimi ka pushtuar banorët edhe në zona të tjera si qyteti Chuguev, ku bombardimet ruse kanë shkatërruar shtëpi e një trup i pajetë dergjet në rrugë i mbuluar me batanije.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyi, njoftoi me heret se Rusia kishte kryer sulme me raketa në infrastrukturën e Ukrainës dhe mbi rojet kufitare. Përmes një postimi në Twitter, ai tha se ka biseduar me aleatët perëndimorë dhe se u ka bërë thirrje atyre që ta ndihmojnë vendin me mbrojtje dhe financa.

Disa qytete ukrainase sakaq janë gjendje edhe nën një sulm kibernetik; një sërë Website-sh kanë rënë ndërsa ka edhe vështirësi komunikimi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA