Putin: Interesat tona, të panegociueshme, NATO paralajmëron përplasjen!

23/02/2022 15:09

Interesat e Rusisë janë të panegocueshme deklaroi Vladimir Putin, dhe me këtë, presidenti rus tregoi se nuk ka ndërmend të ndalet, pavarësisht presionit të perëndimit dhe sanksioneve paralizuese ekonomike, edhe pse u përpoq ta theksonte se nuk ia ka mbyllur përfundimisht rrugen diplomacisë.

“Vendi ynë është gjithmonë i hapur për dialog të ndershëm dhe të drejtpërdrejtë, për të kërkuar zgjidhjet diplomatike dhe në problemet më komplekse. Por interesat e Rusisë, siguria e qytetarëve tanë, nuk janë të negociueshme për ne”, tha ai.

Sipas NATO-s, siguria europiane po përjeton sot momentin më të madh prej gjeneratash të tëra. Një zyrtar i lartë i sigurisë në Ukrainë, Oleksiy Danilov, njoftoi se vendi ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në të gjithë territorin e tij.

Ajo do të zgjasë 30 ditë dhe mund të zgjatet edhe për 30 ditë të tjera. Separatistët pro-rusë kanë kontrolluar pjesë të Donetskut dhe Luhanskut që nga viti 2014.

Rusia i njohu ato si shtete të pavarura dhe miratoi dërgimin e trupave të saj atje gjatë kësaj jave, dhe tani, po shtohet frika e një mësymjeje të plotë të Moskës mbi shtetin fqinj.

Ukraina po u kërkon qytetarëve të saj që të shmangin udhëtimet në Rusi dhe që ata që janë atje të largohen menjëherë, duke përmendur një ndërprerje të mundshme të shërbimeve konsullore përballë tensioneve në rritje.

Top Channel