Kosova në krah të Ukrainës, Kurti: Të bashkërenduar me SHBA-në dhe NATO-n!

22/02/2022 16:24

Qeveria e Kosovës mbështet sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës, deklaroi kryeministri Albin Kurti përpara ligjvënësve në Kuvendin e Kosovës, ku deputetë të pozitës dhe opozitës kërkuan vëmendjen e ekzekutivit përsa i takon situatës shqetësuese, hija e së cilës bie mbi Europë e më gjerë.

Kurti e bëri të qartë se Kosova do të jetë “përherë e bashkërenduar me Bashkimin Europian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n”.

Pasi Vladimir Putin njohu pavarësinë e Donetskut dhe Luhanskut, ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë reagoi në Twitter, duke thënë se Presidenti rus ka ndërmarrë e po vazhdon ende të nisë luftëra kundër demokracisë në Evropë.

Kosova qëndron me Ukrainën kundër agresionit të Rusisë. Putin, edhe një herë, po bën luftë kundër një demokracie paqësore. Ai ka nisur luftëra hibride kundër demokracive nëpër Europë për vite me radhë. Bota e lirë duhet t’i përgjigjet Putinit dhe përfaqësuesve të tij me vendosmëri”, thuhet në reagimin e ministrisë.

Gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, u shpreh se kriza e Ukrainës mund të prekë shumë shpejt edhe rajonin e Ballkanit, dhe shtoi se është urgjente që institucionet kosovare të sigurisë të mblidhen dhe “të shqyrtojnë e monitorojnë me kujdes situatën.

Top Channel