Anëtarët e Partisë Socialiste në Komisionin Hetimor për Inceneratorët kanë vendosur të kallëzojnë penalisht në SPAK deputeten demokrate Jorida Tabaku, e cila është edhe kryetare e këtij komisioni.
Në nisje të mbledhjes së këtij Komisioni, deputetja socialiste Ermonela Felaj tha se anëtarët e PS në këtë komision kanë vendosur ta kallëzojnë penalisht deputeten Tabaku, pasi kjo e fundit ka zhvilluar ditën e sotme një takim me kreun e SPAK, Arben Kraja, pa u mandatuar nga komisioni përkatës.
Tabaku theksoi se transparenca po vendos një presion pozitiv mbi SPAK për të vepruar sa më shpejt, sepse provat dhe faktet për abuzime janë të qarta. Ajo tha se deri në fund të këtij procesi, të paktën në emër të PD-së, do e bëjmë këtë detyrë më integritet.
“Transparenca po vendos një presion pozitiv mbi SPAK për të vepruar sa më shpejt, sepse provat dhe faktet për abuzimet janë të qarta. Besoj se deri në fund të këtij procesi, të paktën në emër të PD, do e bëjmë këtë detyrë me integritet”, tha Tabaku.
Nga ana tjetër, deputetja socialiste, Ermonela Felaj theksoi se znj.Tabaku ka shkuar pranë SPAK si kryetare e këtij komisioni, pa qenë e mandatuar nga ky komision. Sipas saj, ky veprim është në kundërshtim të hapur me ligjin dhe deputetja demokrate nuk duhe të ndërmarrë asnjë tagër që nuk ia jep ky komision.
“Ju keni shkuar pranë SPAK si kryetare e këtij komisioni, pa qenë e mandatuar nga ky komision. Ndaj, veprimi juaj është në kundërshtim të hapur me ligjin, që ju detyrojnë juve të mos ndërmerrni asnjë tagër që nuk ua jep ky komision. Për këtë arsye, ne anëtarët e mazhorancës në këtë komision kemi vendosur të drejtojmë një kallëzim penal në SPAK për Jorida Tabakun, për dy vepra penale, për ushtrimin e ndikimin e paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë veprime publike, dhe shpërdorim detyre. Ky veprim është kryer me dashje dhe me qëllimin për të fituar kredo politike nga Tabaku. Sipas deklarimeve publike të së kallëzuarës, rezulton ta ketë nxitur SPAK të veprojë sipas partisë që ajo disponon”, tha Felaj.
Top Channel