Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së hënës një skandal në Korçë, ku një subjekt tregtonte në të njëjtin vend gaz dhe oksigjen mjekësor.
Në datën 5 nëntor 2021, në fshatin Voskopojë në Korçë ka shpërthyer një bombul gazi, duke u plagosur disa persona. Pas aksidentit, në vendin e ngjarjes kanë shkuar ekspertë policie dhe nga Inspektoriati Shtetëror Teknik Industrial. Shkak i aksidentit ishte impianti i gazit, i cili ishte i pacertifikuar.
Pas kësaj ngjarje, në redaksinë e emisionit Fiks Fare mbërritën informacione për një stacion gazi në Korçë, i cili ishte rrezik për banorët dhe për konsumatorët. Subjekti ishte Korça Gas, ku një nga aksionerët është edhe z.Enver Shahinasi, drejtor i IKMT-së në qytetin e Korçës. Në këtë firmë, e cila ndodhet në rrugën Korçë-Drenovë, përveç se tregtohet gaz për automjete dhe familjarë, tregtohet edhe oksigjen mjekësor.
Ligji e ndalon në mënyrë kategorike shitjen e oksigjenit dhe të gazit në të njëjtin vend! Madje, duhen një sërë licencash dhe lejesh nga pushteti qendror dhe lokal. Sipas një dokumenti, subjekti Korça Gas e ka aktivitetin në rrugën Korçë-Drenovë. Ndërkohë, prej vitesh, në këtë adresë është edhe firma Messer Albagaz! Kjo, e deklaruar në vitin 2014 në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Kjo firmë, Messer, ka lidhur kontratë me Spitalin Rajonal të Korçës për furnizimin me oksigjen spitalor. Pra, dy kompani që tregtojnë gaz dhe oksigjen në të njëjtin vend! Madje, të dyja firmat i kanë deklaruar adresat në dokumente dhe askush nuk ka ndërhyrë, qoftë për të parë letrat!
Pas këtij informacioni, gazetarët e Fiks Fare shkuan në Spitalin Rajonal të Korçës, ku punonjës të këtij spitali pohojnë se oksigjenin e marrin te firma Gas Korça, në rrugën e Drenovës. Gazetarët e Fiksit shkuan në këtë subjekt dhe kërkojnë të mbushin një bombul oksigjeni dhe gazi. Bombulën e gazit punonjësit e mbushin, ndërkohë për oksigjenin u thonë se kanë bombulat e tyre dhe mbushin dhe japin me qira bombulat e tyre. Gazetarët filmojnë se në të njëjtin subjekt tregtohet edhe gaz edhe oksigjen.
Më pas, gazetarët shkojnë në zyrat e IKMT në Korçë, ku kërkojnë z.Enver Shahinasi, që është edhe një nga aksionerët. Gazetarët bisedojnë me z.Shahinasi dhe ai u thotë se është aksioner dhe se atje shkon pasdite. Gazetarët i kërkojmë përse tregtohet oksigjen dhe gaz në të njëjtin vend, ndërsa ai thotë se nuk i di kushtet teknike. Fiksi interesohet edhe te Shërbimi Zjarrfikës i Korçës, ku drejtori Koço Cicko pohon se s’ka dijeni që në atë vend të tregtohet edhe gaz edhe oksigjen. Na thotë se kompania Messer Albagaz ka një pikë tjetër që ka marrë leje te Zjarrfikësja dhe atje s’ka dijeni.
Fiksi interesohet edhe në Inspektoriatin Shtetëror Teknik Industrial, ku drejtori i Inspektimit të Enëve me Presion, Merilian Kurtaj, thotë se diçka e tillë nuk lejohet. Gazetarët i tregojnë se dy subjektet Korça Gas dhe Messer Albagaz kanë të njëjtën adresë në QKB. Na thotë se pas informacionit që mori nga Fiks fare do të nisë inspektimin menjëherë. Pas dy ditësh, Kurtaj thotë se inspektorët kanë gjetur shkelje teknike dhe i kanë vendosur një gjobë subjektit prej 500 mijë lekësh. Gjithashtu i kanë lënë detyrë të bëjë sërish raportin teknik për të gjithë subjektin.
Top Channel