Berisha: Mos votoni, Ramën e Bashën/ Ish kryeministri: Ballkanin e hapur do ta hedhim poshtë

21/02/2022 15:30

Sali Berisha  zgjodhi të mos replikojë me ambasadoren  amerikane Yuri  Kim, për pyetjet që ajo kishte  për kandidatët e “Shtëpisë së Lirisë”.

Në takimin me fermerët e Lushnjës  komentet e tij ishin vetëm  për elektoratin.

“Ftojmë qytetarët të votojnë  kandidatët e “Shtëpisë së Lirisë”,  të mos votojnë  kandidatët e veglave të Edi Ramës, të Toyota Yaris të Dosjes Muzin, por të votojnë kandidatët e lirë, njerëzit e lire siç është Elton Bano”, tha ai.

Edhe pse garë lokale, Sali Berisha  e konsideron 6 Marsin si betejë për pushtetin qendror, ndaj të tilla i ka dhe premtimet.

“Ballkanin e Hapur  do ta hedhim poshtë. Është  nismë e rrezikshme për fermerët, pasi i detyron te krahasohen  me fermerët që marrin subvencione të mëdha nga qeveria serbe. Fermeri nuk do ketë asnjë taksë në shitjet e tij, shteti do i paguajë atij të gjithë taksat që ai ka paguar ne blerjet e tij. Ky nuk është standard utopist,  por standard i BE-së  dhe ne do e vendosim këtë standard. Do rimbursohet çdo taksë e juaj në blerje për imputet, serat etj”, tha Berisha.

Kandidati i koalicionit “Shtëpia e Lirisë”,  Elton Bano siguroi fermerët e Lushnjës se do jetë në krah të tyre.

“Për çdo dëm që do kenë fermerët nga fatkeqësia natyrore do të vlerësohet 8 % nga buxheti i bashkisë do vihet në dispozicionin e tyre për  dëmshpërblimet”, tha Bano.

Top Channel