Vijon të digjet në ngushticën mes Korfuzit dhe Shqipërisë, autoritetet greke: Euro Ferry Olimpia do të ankorohet në Kasiopi

19/02/2022 23:49

Autoritetet greke kanë njoftuar se nga sonte anija në flakë Euro Ferry Olimpia që po digjet në ngushticën mes Korfuzit dhe Shqipërisë, u vendos të ankorohet në Kasiopi përballë Ksamilit.

Mësohet se gjatë orëve në vazhdim pritet përkeqësim i motit në zonë dhe ekipet e shpëtimit kanë frikën e ndonjë aksidenti që mund ta nxjerrë në cekinë tragetin Euro Ferry Olimpia.

Autoritet thonë se ende nuk kanë zbritur në hambarët 2 dhe 3 të anijes, pasi temperaturat mbeten mbi 550-600 gradë celsius, ç’ka e bën të pa mundur punën e ekipeve të shpëtimit për gjetjen e 12 personave që rezultojnë ende të zhdukur.

Më herët roja bregdetare greke duke iu referuar ekspertëve në vendin e ngjarje, deklaroi se në hambarët 1 dhe 2 të cilat ndodhen nën vijën e lundrimit, janë grumbulluar sasi të mëdha uji të hedhur prej sistemeve të zjarrfikjes së anijes, por edhe mijëra tonëve ujë të hedhur prej ekipeve të shpëtimit këto dy ditë.

Ekspertët thonë se situata është alarmante dhe anija Euro Ferry rrezikon të mbytet,çka me gjasa do të shkaktojë një dëm gjigand ekologjik në brigjet e Ksamilit , Korfuzit dhe deri në ishujt e tjerë të Jonit, pasi në serbatorët e saj ndodhen ende mbi 700 tonë naftë dhe mbi 30 tonë lubrifikantë, pa llogaritur këtu edhe lëndët kimike që krijohen prej efekteve të zjarrit që po djeg anijen që prej dy ditësh.

Ndërkohë vazhdon të mbetet ende mister se ku do të ankorohet përfundimisht anija sapo të përfundojnë operacionet e kërkimit të të zhdukurve dhe flakët e zjarrit të fiken.

Burime pranë ministrisë greke të marinës tregtare greke, i thanë Top Channel se mes Greqisë dhe Italisë vazhdojnë bisedime intensive për të lejuar anijen të ankorohet në Brindizi ku pala italiane thotë se do të kryejë hetime lidhur me shkaqet e tragjedisë, ndërsa Athina zyrtare insiston se rasti do të hetohet në Greqi, madje autoritet greke arrestuan për disa orë dhe në vazhdim liruan kapitenin dhe dy mekanikët e anijes, pas urdhwrit të Prokurorisë së Korfuzit për hetime urgjente lidhur me aksidentin.

Burimet e Top Channel në ministrinë e marinës tregtare greke, thanë se nga momenti në moment pritet që prokuroria greke të urdhërojë edhe sekuestrimin e anijes, duke i dhënë fund edhe dilemës se ku do të ankorohet ajo përfundimisht.

Top Channel