Të konsideruara si shumë toksike, mbetjet e rrezikshme kanë një protokoll strikt të ruajtjes dhe magazinimit, duke shmangur kontaktet me agjentët atmosferikë dhe ekspozimin ndaj ambienteve të hapura.

Top Story do të dokumentojë me pamje se si institutucionet shtetërore kanë mbyllur sytë përballë kësaj situate, duke rrezikuar një katastrofë mjedisore. Këtu ndodhemi në një ndër magazinat e mbetura nga azotiku në Fier. Këto fuçi janë plot me mbetje të rrezikshme. Dy prej tyre janë të mbushur me cianur, një element mjaft toksik i aftë të vrasë 10 persona me vetëm 1 miligram.

Siç edhe e shikoni nga pamjet nuk është fare e vështirë të aksesohen nga kushdo që nuk ia ka idenë e rrezikut. Këto materiale toksike dhe kimike janë ambalazhuar dhe futur nëpër këto fuçi që në vitin 2004, kohë kur nisi edhe projekti për groposjen e arsenikut. Por që prej asaj kohe, këto mbetje të rrezikshme jo vetëm që nuk janë zhvendosur, por madje janë thyer edhe xhamat duke bërë që disa prej thasëve plastikë ku ishin të ambalazhuar të dëmtohen nga shirat e dimrit apo vapa e veres.

Këto dy magazina të tjera janë të mbushura me thasë që përmbajnë karbonat, i cili përdorej si lëndë e parë në prodhimin e plehrave azotikë… Edhe në këtë rast duket qarte se ka rene cdo sistem sigurie. Xhamat e dritareve janë thyer, thaset jane lagur dhe grisur mbështjellëset e tyre duke i ekspozuar ndaj agjentëve atmosferikë.

Ish ndërmarrja e Azotikut është nën varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila nuk iu përgjigj interesimit të TOP Story për situatën e mbetjeve të rrezikshme. Azotiku në Fier, një tjetër gjigand i industrisë komuniste, ishte pjesë e një kompleksi të madh dhe punësonte rreth 1200 punëtorë.

Uzina “Gogo Nushi” prodhonte deri në 120 mijë ton plehra azotikë në vit me përqindje të lartë azoti, por kjo industri përdorte edhe elementë mjaft të rrezikshmën, të cilët më pas derdheshin në lumin Gjanica. Aty ndodhej edhe 1500 ton arsenik i lëngshëm, i cili ruhej në tre depozita të mëdha metalike.

“Azotiku ka qenë hot spot, ka patur komponime të arsenikut 3 dhe 5 valent, dhe analizat e bëra kanë gjetur sasi të konsiderueshme edhe në tokat përreth, është ndërhyrë, është izoluar” u shpreh Besnik Bare, kimist/ Shkencat e Natyrës. Me synimin për të rritur prodhimin e plehrave azotikë që ndikuan në rritjen e prodhimeve bujqësore, kjo uzinë ka shkaktuar mjaft “mëkate” ndaj mjedisit. Gazrat nitroze ishin shumë të rrezikshme. Mbetjet e acideve holloheshin e derdhedhin në lumin Gjanicë. Si pasojë ky lum për vite të tëra nuk kishte asnjë lloj jete. Madje, banorët tregojnë se edhe zogjtë, të etur për ujë i afroheshin Gjanicës por nuk uleshin kurrë të pinin.

“Rreziku që ato shkaktojnë tek njeriu është shumë i lartë. Ata janë protumorial, pra janë nxitës të tumoreve, ata shkatërrojnë gjendrat dhe sistemin hormonal, shkaktojnë probleme me mëlçinë, me lëkurën të cilat kanë ndikim të drejtëpërdrejtë tek njeriu. Shkaktojnë probleme të fetusit” u shpreh Aurel Nurja, Pedagog te Shkencat e Natyrës.

Top Channel