Kreshnik Spahiu në Open: Vendim jo transparent, katër gjyqtarë i futi në punë vetë Ilir Meta

17/02/2022 22:25

Kreshnik Spahiu nuk beson në një Gjykatë Kushtetuese të paanshme në një kohë që sipas tij katër gjyqtarë janë futur në punë nga Presidenti Ilir Meta.

Në studion e Open në lidhje skype, Spahiu tha se nuk patëm një proces transparent. Ai shtoi se aty ka konflikt interesi për shkak se 4 prej gjyqtarëve janë emëruar nga Meta.

“Shqipëria ka 32 vite për të vendosur shtet të së drejtës dhe unë kam bindjen që do duhen edhe 32 vite tjera që një gjyqtar shqiptar të dënojë një President apo politikan. Proceset për të gjykuar një President ndodhin në 200-300 vjet. Drejtorë të thjeshtë, shkarkohen çdo ditë. Ky proces duhet të vendoste një stekë, një standard shumë të lartë transparente. Kush shqiptar sot mund të thotë që ky ishte një proces model? Asnjë. Edhe sot thuhet që ishte vendim i paarsyetuar. Ka disa deklarata se Gjykata tregoi se ishte e pavarur, po si mund të jetë e pavarur kur gjysma janë zgjedhur nga Ilir Meta?

Gjykimi duhet të ishte publik. Procesi lejohet me gazetarë e kamera. Vendimi nuk mund të jetë as i paarsyetuar dhe as i shkurtuar, e kanë shtyrë seancën 10 herë. Palët duhet të ishin presente. Gjysma e tyre ka qenë në konflikt interesi. 4 janë emëruar nga Ilir Meta. Këtu ka konflikt interesi. Si mund të jetë gjykatë me standarte kur muajt e fundit 4 prej tyre i ka futur në punë Ilir Meta”,  tha Spahiu.

Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese vendosi të mos e shkarkojë presidentin Ilir Meta.

Në njoftimin e saj Gjykata Kushtetuese shpjegon se “pasi verifikoi procedurën e ndjekur nga Kuvendi për ngritjen e komisionit hetimor, garantimin e së drejtës së Presidentit për t`u dëgjuar dhe për t`u mbrojtur dhe duke mbajtur në konsideratë pavarësinë organizative të Kuvendit, në tërësi konstatoi se nuk ka pasur shkelje kushtetuese gjatë kësaj procedure”.

Gjatë procesit, këshilltarët ligjorë të Kreut të Shtetit e mbështetën në mënyrë të veçantë mbrojtjen e tyre, pikërisht te shkeljet e rënda që sipas tyre ishin kryer nga parlamenti që nga momenti i shqyrtimit të kërkesës së deputetëve që vunë në lëvizje parlamentin, deri në marrjen e vendimit.

Nga ana tjetër, shkeljet e pretenduara nga përfaqësuesit e shumicës socialiste, për Gjykatën Kushtetuese nuk mund të konsiderohen si shkelje të rënda të Kushtetutës.

Top Channel