Në Durrës, një mësuese e ciklit fillor ka bërë një mozaik masiv me afro 5 mijë tapa shishesh plastike të mbledhura nga nxënësit e shkollës së saj.
Qëllimi është i thjeshtë, për të përcjellë një mesazh të rëndësishëm mbi zhvillimin e qëndrueshëm të mjedisit në vendin tonë. Ka një pafundësi mënyrash për të reaguar në mbrojtje te mjedisit, por mësuesja Marsida Mezja ka zgjedhur mënyrën më të mirë, atë të edukimit përmes veprimeve konkrete.
“Mesazhi kryesor është “Pema që ka rrënjë edukimin, frut i një Shqipërie të pastër. Çdo gjë arrihet dhe me riciklim. Durrësi është një qytet i ndotur edhe nga qytete të tjera. Grykëderdhja e Ishmit ndotet nga qytete si Kruja, Tirana, Kamza e Vora dhe shkollat e Durrësit janë bashkuar për të pastruar lumin Ishëm dhe mbrojtur atë nga plastika.”
Plot pasion e dashuri për profesionin dhe mbrojtjen e mjedisit nga plastika kjo mësuese është kthyer në burim frymëzimi për nxënësit e saj. Çdo ditë ata sjellin në shkollë mbetje plastike që tërhiqen për riciklim, por një pjesë të tyre i kthejnë vetë në produkte të dobishme dhe krejt origjinale, siç është kjo veshje e realizuar prej tyre.
“Këtë e kemi bërë me materiale të riciklueshme. Me tollumbaca, qese plastike dhe dorashka. I kemi vënë dhe një maskë që të tregojmë se jemi në pandemi. Çanta është me lugë dhe karton. Kapelja me gota plastike. Ne i kemi bërë që të tregojmë se jemi fëmijë të fortë dhe mund të bëjmë shumë gjëra bashkë me mësuesen tonë.”
“Edhe prindërit na ndihmojnë. Mbledhim plastikë edhe nga deti. Dalim mbledhim tapa, bashkë me prindërit.”
“Është gjë e bukur që na pëlqen.”
Ku i mbledh plastikat? “Te deti dhe te puna e mamit e te bilardo. Më ndihmojnë mami dhe babi.”
Mbledhja e diferencuar e mbetjeve ka nisur si një risi në këtë shkollë dhe shumë shkolla të tjera të Durrësit, duke angazhuar nxënës dhe prindër për një mjedis të pastër, e veçanërisht pastrimin e bregdetit dhe grykëderdhjes së Ishmit, më e ndotura në vend nga mbetjet dhe plastika. Mësuese Marsida e pranon që kjo është një sfidë.
“Disi e vështirë, po me punë e përkushtim çdo gjë arrihet.”
“Ne duhet ta mbrojmë mjedisin dhe të mos hedhim plastikat vend e pa vend.”
Entuziazmin dhe besimin për një Durrës dhe Shqipëri të pastër, mësuese Marsida kërkon që ta përkrahin të gjitha shkollat në vend.
“Me këtë mesazh doja të ftoja të gjitha shkollat e Shqipërisë jo vetëm të Durrësit për ta transmetuar mesazhin për një Shqipëri të pastër.”
Top Channel