Shkencëtarët në Zelandën e Re kanë zbuluar një peshkaqen fantazmë të sapolindur.
Peshkaqeni fantazmë u gjet në një thellësi prej rreth 1,200 metrash në Chatham Rise, zonë në brigjet lindore të ishullit.
Zbulimi shumë i rrallë u bë gjatë një sondazhi të fundit, tha Instituti Kombëtar i Kërkimeve të Ujit dhe Atmosferës në një deklaratë për shtyp të martën, sipas CNN.
Peshkaqeni fantazmë njihet shkencërisht si chimaera dhe me emra të tjerë si peshku mi, peshku i frikshëm dhe peshku lepur.
Ata janë peshq kërcorë, që kanë skelete të përbërë kryesisht nga kërc dhe embrionet e tyre rriten në kapsula vezësh të vendosura në dyshemenë e detit dhe ushqehen me të verdhën e vezës derisa të çelin.
“Ju mund të dalloni se ky peshkaqen fantazmë ka dalë së fundmi sepse ka një bark me të verdhë veze”, tha në deklaratën për shtyp Brit Finucci, një shkencëtar që ishte pjesë e ekipit që bëri zbulimin.
“Është mjaft befasuese. Shumica e peshkaqenëve fantazmë të ujërave të thella i kemi parë të rritur, kurse të porsalindurit raportohen rrallë, kështu që ne dimë shumë pak rreth tyre”, shtoi ajo.
Lloji i saktë i peshkaqenit fantazmë që ekipi zbuloi nuk dihet ende, dhe Finucci tha se do të nevojiteshin teste të mëtejshme dhe analiza gjenetike.
Mosha e peshkaqenit e bën atë një gjetje veçanërisht të rrallë dhe kjo do të ndihmojë në njohuritë shkencore mbi peshkaqenët fantazmë të vegjël.
Finucci thotë se speciet e tjera të chimaera tregojnë se të miturit mund të kenë kërkesa të ndryshme diete dhe habitati, ndryshe nga të rriturit.
“Të miturit gjithashtu duken të ndryshëm nga të rriturit, duke pasur modele të veçanta ngjyrash”, tha ajo për speciet e tjera të chimaera.
“Gjetja e këtij peshkaqeni fantazmë do të na ndihmojë të kuptojmë më mirë biologjinë dhe ekologjinë e këtij grupi misterioz të peshqve të ujërave të thella.”
Top Channel