I dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha sot se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi duhet të ketë në qendër njohjen e ndërsjellë dhe se bisedimet nuk kanë të bëjnë me statusin e saj.
Ai i bëri këto komente gjatë një seance dëgjimore në komitetin për marrëdhënie ndërkombëtare të Senatit Amerikan, me temën Ballkani Perëndimor: Mbështetja e paqes dhe përparimit, përgjatë së cilës tërhoqi vërejtjen te kërcënimi rus dhe kinez ndaj përparimit në rajon.
Zoti Escobar, i cili në fillim të këtij muaji ishte në Prishtinë dhe në Beograd së bashku me të dërguarin evropian, Miroslav Lajcak, tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqishëm bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian, që janë edhe vendi në të cilin të dyja palët, si të barabarta, duhet të punojnë për të zgjidhur dallimet dhe të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, që u duhet të dyja shteteve për të ardhmen e tyre evropiane. Kjo, tha ai, duhet të përqendrohet në njohje të ndërsjellë.
Ai i shprehu mbështetjen formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, që është edhe çështja më e diskutueshme në bisedimet Kosovë – Serbi.
“E mbështesim krijimin e Asociacionit për shumë arsye. E para është se për të palët janë pajtuar. Edhe pse Gjykata Kushtetuese (e Kosovës) ka thënë se disa pjesë nuk janë në përputhje me Kushtetutën, nuk ka thënë se vetë Asociacioni është jokushtetues. Në kuadër të bisedimeve, është në dorën e Kosovës dhe Serbisë që të vendosin se si do të dukej (asociacioni). Nuk duhet të jetë, dhe sigurisht ne nuk duam që të jetë i ngjashëm me Republikën Serbe, por ne i kemi bërë thirrje dhe kolegu im Lajçak i ka bërë thirrje qeverisë së Kosovës të shqyrtojë modelet që ata besojnë se mund të jenë të përshtatshme, që nuk do të dëmtojnë sovranitetin dhe funksionalitetin e Kosovës”, tha ai.
I pyetur nga senatori Bob Menendez se çfarë i kërkohet Serbisë në shkëmbim të trysnisë ndaj Kosovës për asociacionin, zoti Escobar tha se “qëllimi i bisedimeve është që çdo gjë të lëvizë në të mirë të Kosovës, që të jemi të sinqertë, me rezultatin përfundimtar, njohjen e ndërsjellë. Pra nuk ka të bëjnë me statusin e Kosovës por njohjen se ajo është vend i pavarur dhe sovran”.
Zoti Escobar tha se Shtetet e Bashkuara presin nga qeveria e Kosovës “të angazhohen plotësisht në bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja dhe t’i shohin ato si negociata të vërteta për të arritur qëllimin kryesor që është njohja e ndërsjellë me Serbinë, njohja nga pesë shtetet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën dhe anëtarësimin në të gjitha organizatat ndërkombëtare që ata duan të anëtarësohen. Kjo do të kërkojë kompromis dhe ne kemi qenë shumë të qartë. Ambasadori ynë i ri, Jeff Hovenier, e ka bërë këtë shumë të qartë gjatë takimeve të tij të para me qeverinë (e kryeministrit Albin) Kurti dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë”, tha ai.
Zoti Escobar tha se shtyllat e politikës amerikane në Ballkanin Perëndimor janë, Evropa, NATO-ja dhe integrimi rajonal.
“Është besimi ynë se këto vende duhet të jenë pjesë e Bashkimit Evropian. Ato janë kulturalisht, historikisht dhe ekonomikisht pjesë e Evropës dhe ne besojmë se duhet të jenë anëtarë të bllokut”, tha ai duke nënvizuar se çdo vend që është anëtar i Bashkimit Evropian është më demokratik, më i qëndrueshëm dhe më i përparuar pa asnjë kosto për të tjerët.
“Shtylla e dytë është anëtarësimi në NATO, për ata që kualifikohen për këtë dhe ato vende që nuk janë ende të interesuara për NATO-n, të jenë më të angazhuara me aleancën”, tha ai duke vënë theksin tek Serbia e cila pohon se është neutrale, por ka shtuar angazhimin me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n gjatë dy viteve të fundit.
“Dhe së fundi, është integrimi ekonomik e politik rajonal dhe prandaj mbështesim Ballkanin e Hapur, tregun e përbashkët rajonal dhe çdo program që krijon përfshirje në tregun evropian”, tha ai.
Zoti Escobar tha se përparimi rajonal kërcënohet nga ndikimi politik dhe ekonomik i Kinës dhe Rusisë, duke theksuar se Rusia shfrytëzon furnizimin me energji për të nxitur korrupsionin dhe për të penguar zhvillimin. Ajo u bën tifo etno-nacionalizmit dhe ndarjeve. Kina, tha ai, po zgjeron praninë e saj përmes kredive dhe të ashtuquajturave investime, që ai i cilësoi si “diplomaci borxhesh”.
“Çështja e varësisë nga energjia ruse nuk është problem vetëm i Ballkanit, por edhe i një pjese të konsiderueshme të Evropës. Ballkani ka edhe një problem tjetër, që është varësia e tij nga energjia e prodhuar nga qymyri. Ne kemi një strategji për sigurinë energjetike që përfshinë energjinë e ripërtërishme, gazin e lëngshëm natyror dhe rrugët alternative për furnizim me energji“, tha zoti Escobar, ndërsa theksoi se “nxitja e qeverisjes transparente, të drejtave të njeriut dhe rendit ligjor ndërkombëtar, janë në qendër të angazhimit kundër këtyre veprimeve destabilizuese” të Rusisë dhe Kinës.
Duke folur për Bosnje e Hercegovinën, zoti Escobar tha se problemi kryesor nuk është etno-nacionalizmi, por korrupsioni dhe se Bosnja është vendi i tretë më i korruptuar në Evropë.
Në fillim të vitit Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione kundër udhëheqësit të serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, për korrupsion dhe kërcënim të qëndrueshmërisë dhe tërësisë tokësore të Bosnjës e Hercegovinës.
Zoti Escobar tha se synimi është që serbët të kthehen në institucionet qendrore të Bosnjës dhe që Dodikut qoftë përmes anagzhimit politik, qoftë përmes sanksioneve, t’i pamundësohet që t’i dëmtojë më tej ato institucione./ VOA
Top Channel