Tensionet në kufi dhe rreziku për një pushtim rus të Ukrainës ka qenë prej disa ditësh në qendër të të gjitha medieve europiane.
Në një lidhje për emisionin “Top Talk”, korrespondenti i Top Channel në Londër, Arben Manaj komentoi krizën në Lindje, sipas asaj që diskutohet në Londër, por edhe sipas këndvështrimit të tij personal.
Këtë të martë, Rusia tha se po tërheq një pjesë të ushtarëve nga kufiri, një deklaratë e dyshimtë, teksa CNN raportoi se në kufi vazhdon të ketë forcë të shtuar të trupave rusë.
Sipas Manajt, edhe nëse ky informacion është i vërtetë, Moska sërish ka aftësinë të pushtojë Ukrainën:
“Është diçka që ende nuk dihet dhe nuk mund të specifikohet. Edhe sikur të jetë e vërtetë, nuk ka ndonjë rëndësi të mëdha sepse Moska ka grumbulluar aq shumë trupa ushtarakë në kufi, sa do të ishte iluzive të mendoje që meqë u tërhoqën këto trupa, Moska ka ulur aftësinë e saj për të pushtuar”.
Sipas tij, “këto janë lojëra diplomatike më shumë për konsum të brendshëm, pasi agjencitë perëndimore e kanë thënë që Rusia është gati të pushtojë Ukrainën brenda 72/48/24 orësh, ndërkohë që në Moskë retorika është që ne nuk kemi ndërmend ta bëjmë një gjë të tillë”.
“Fakti që Putini përdor këtë tërheqje të supozuar, do që të fitojë luftën e propagandës për ta nxjerrë të pabesueshëm çdo lloj pretendimi tjetër.
E vërteta është që Moska çfarë ka dashur të bëjë e ka bërë gjatë këtyre dekadave të fundit. Putini është trimëruar dhe nga mos efikasiteti dhe ngurimi i Perëndimit për të ndërhyrë në konfliktet e mëdha. Është një lloj lufte, një lloj propagande që bëhet për të testuar dhe inkurajuar”.
Pyetjes nëse Putini mund të urdhërojë sulmin, gazetari iu përgjigj me një analogji nga historia:
“Winston Churchil ka thënë për Stalinin dhe Hitlerin që janë dy gangsterrë të dhunshëm, që vidhnin në hotele. Nëse do të kemi një lloj analogjie me Putinin e sotëm, ky i ngjan të njëjtit person, por që ka hyrë me një forcë të madhe në dhomën e hotelin, ku shkon te recepsioni dhe thotë se ka prenotuar dhomën para disa vitesh dhe dua çelësat e dhomës. Është e vështirë të mendosh se çfarë do të ndodhë. Gjithsesi, në Londër shpresojnë për një zgjidhje diplomatike, ka disa mundësi”.
Manaj thotë se Putini po e përdor këtë situatë, për t’i ushtruar presion Perëndimin:
“Unë nuk besoj se Putini do të sulmojë, por po e përdor të gjithë këtë histori duke bi vënë pitoletën në kokë Perëndimit, për t’i bërë presion dhe për të fituar zona të influencës dhe për të vënë një lloj hendeku të avancimit të NATO-s drejt Lindjes. Mos të harrojmë që më parë, përmes territorit të Ukrainës është pushtuar dhe Rusia. Është një idiotësi e madhe të mendosh sot se NATO do të sulmojë Rusinë. Sot nuk vlen më parimi, që nëse më çon një ushtar në spital, unë do të të çoj një në morg. Londra nuk beson se NATO-ja do të bëjë kompromise të tilla”.
Ai kujton varësinë ekonomike që Perëndimi ka aktualisht ndaj Rusisë, sidomos për gazin:
“Putini e di shumë mirë se në çfarë gjendje është Perëndimi, e di shumë mirë se 40 për qind e gazit në Gjermani shkon nga Rusia. Kjo varësi nga gazit dhe burimet të tjerë të energjisë ruse, e bën atë të mendojë që mund të tallet dhe me gjuhë trupore ndaj zyrtarëve europianë. Siç thotë dhe Marksi, politika është shprehje e koncentruar e ekonomisë. Për këtë arsye, Boris Johnson e cilëson këtë varësi, si ata personat që janë të varur nga droga”.
Mënyrën si po e menaxhojnë Fuqitë e Mëdha krizë, Manaj e cilëson dështim, ndërsa Putinin vetë e cilëson fosile të totalitarizmit:
“Kjo është një nga dështimet më të mëdha, por shpresoj të jetë dhe një nga mësimet më të mëdha që mund të nxjerrë Perëndimi. Mendoj se pas rastit të Ukrainës, gjërat duhet të ndryshojnë në këtë drejtim. Është poshtëruese për Perëndimin që Putini ta përdorë këtë.
Putini ka një ekonomi që është sa gjysma e GDP-së së Britanisë së Madhe, pak më shumë se Italisë, kështu që ai e di se miliardat që fiton nga fosilet, bën që të mbajë një fosile të totalitarizmit në pushtetin rus. Kjo i jep dorë fuqizimit të ushtrisë ruse”.
Top Channel