Bombat ruse mbi qytetet ukrainase pak minuta nga urdhri i Putin: S`ka paralajmërim

14/02/2022 17:27

Rusia mund të fillojë sulmin mbi Ukrainë vetëm disa minuta pasi Vladimir Putin të japë urdhrin, paralajmëroi ministri britanik për forcat e armatosura,  James Heappey.

Heappey tha se nga ai moment, raketat e bombat ruse do të nisin të bien mbi qytetet ukrainase. Në prononcimin e tij për Sky News, ministri edhe një herë bëri thirrje që qytetarët britanikë ” të largohen nga Ukraina tani”, pas disa njoftimeve se pushtimi mund të jetë çështje ditësh.

Ky nuk është një paralajmërim për diçka që mund të ndodhë pas tre muajsh. Ky nuk është një paralajmërim që do të pasohet nga paralajmërime të tjera, sepse lufta tashmë është shumë afër. Ky është një paralajmërim që tregon se vetëm disa minuta pasi Putini të japë urdhrin, mbi Ukrainë do të lëshohen bombat ruse”, ishte komenti i tij për BBC.

Heappey sërish e theksoi se kjo nuk nënkupton se lufta do të ndodhë me patjetër, ndërsa nënvizoi dëshirën e Londrës zyrtare për një shtensionim të shpejtë të situatës.

Në një deklaratë të tyre të përbashkët sakaq, ministrat e financave të grupit G7 paralajmëruan Rusinë për pasoja “të mëdha” ekonomike, nëse vendos që ta pushtojë Ukrainën, ndërsa premtuan ndihmë për ekonominë ukrainase.

Top Channel