Gazetarja e çështjeve sociale në Top Channel, Alma Demiraj ka raportuar për situatën e pandemisë së Covid 19, që nga momenti kur u konfirmuan rastet e para në vendin tonë.
Tek “Ëndërrtjerrësit”, ajo tregon vështirësitë e raportimit për një situatë që askush nuk e dinte si do të vazhdonte, përballë një pandemie të panjohur.
Alma Demiraj hyri në ambientet e brendshme të spitalit Infektiv, i përshtatur në një spital për trajtimin e të sëmurëve me koronavirus dhe shikuesit panë konkretisht gjendjen në ambientet, ku askush nuk mund të hyjë, asnjë familjar i të prekurve. Megjithatë, gazetarja tregon se goditjen më të madhe e ka marrë kur për shkak të Covid 19 humbi prindërit.
“Kjo ishte goditja që mora më shumë. Për një vit e ca që raportoja, nuk e kisha ndjerë frikën. Momenti që jam tronditur më shumë ka qenë shkurti. Edhe vetë profesioni na rrëmben, punojmë pa frikë, por në 21 shkurt unë humba mamin dhe 5 ditë më pas humba tim at”.
Alma Demiraj është e bindur kur thotë se do të vazhdojë të raportojë situatën e virusit në vend, për të përcjellë te publiku lajmet më të fundit rreth situatës.
“Më thanë të mos shkoj në oborrin e Infektivit, por unë vendos që të vazhdoj raportimin. Vendosa të marr prapë mjekët që trajtuan time më dhe tim at deri në momentin e fundit… Sepse jeta kështu qenka. Dhe do të vazhdoj ta bëj!”
Top Channel