Organizatat ndërkombëtare kërkojnë ndaljen e sulmeve ndaj gazetarëve në Kosovë

10/02/2022 20:12

Qendra Evropiane për Liri të Mediave, Federata Evropiane e Gazetarëve, dhe disa organizata të tjera për mbrojtjen e gazetarëve, kanë kërkuar nga institucionet e Kosovës që të ndalojnë gjuhën diskredituese dhe denigruese ndaj gazetarëve.

“Ne u bëjmë thirrje që t’i jepet fund menjëherë gjuhës diskredituese dhe denigruese ndaj publikimeve mediatike nga zyrtarët dhe individët e lidhur me partinë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, Zyrën e presidentit dhe institucionet e tjera të nivelit të lartë”, thuhet në letrën e publikuar nga Qendra Evropiane për Liri të Mediave.

Në letrën, që këto organizata të mediave u kanë dërguar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrit Albin Kurti, thuhet se në ditët e fundit, në rrjetet sociale ka pasur mesazhe nga politikanët dhe zyrtarët që kanë nxitur publikun kundër gazetarëve dhe reporterëve.

Në këtë letër përmenden postimet në Facebook të zëdhënësve dhe këshilltarëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Zyrës së kryeministrit Kurti, të cilët “duke folur në emër të partive që prezantojnë, thanë se mediat u përpoqën të minonin presidenten përmes raportimeve të tyre”.

Këto organizata veçojnë edhe komentet e bashkëshortit të presidentes Osmani, Prindon Sadriu drejtuar gazetarëve.

Më 8 shkurt, Sadriu përmes një postimi në Facebook i kishte cilësuar gazetarët në Kosovë si “përfaqësues të ndërmarrjeve të përbashkëta kriminale”, duke kritikuar mediat për lidhjet e tyre me “parapolitikën” dhe për keqpërdorime të tjera. Ai po ashtu kishte thënë se gazetarët po tentojnë ta njollosin punën e presidentes Osmani.

Më pas, ai këtë postim e fshiu.

Qendra Evropiane për Liri të Mediave, Federata Evropiane e Gazetarëve, dhe disa organizata të tjera për mbrojtjen e gazetarëve, kanë kërkuar nga institucionet e Kosovës që të ndalojnë gjuhën diskredituese dhe denigruese ndaj gazetarëve.

Ndryshe, organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, në raportet e tyre vjetore, kanë thënë se gazetarët në Kosovë janë në shënjestër të sulmeve, kërcënimeve dhe frikësimit.

Në raportin e ri për të drejtat e njeriut të Human Rights Watch, të publikuar në janar të vitit 2022, u tha se autorët e sulmeve ndaj gazetarëve rrallë janë mbajtur përgjegjës.

“Në periudhën janar-shtator, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka regjistruar 18 raste të kërcënimeve, frikësimit dhe dhunës ndaj gazetarëve dhe mediave. Të paktën nëntë raste kanë qenë nën hetime në kohën e shkrimit [të raportit], por hetimet dhe ndjekjet penale kanë qenë të ngadalta”, ka thënë Human Rights Watch./REL/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA