Top Channel në rajonin e Donetsk/ Aty ku lufta ka nisur në 2014, banorët zgjohen gjatë natës nga frika e shpërthimeve

09/02/2022 13:03

Takimet e presidentit francez, Emanuel Macron në Moskë dhe Kiev thjesht kanë blerë kohë por nuk kanë prodhuar zgjidhje të situatës së tensionuar mes Rusisë dhe Ukrainës. Kjo nëse shikojmë deklaratën më të fundit të presidentit Putin.

Pas dy ditësh raportim nga Kievi, i dërguari i Top Channel, gazetari Muhamed Veliu dhe operatori Besfort Kryeziu kanë mbërritur në Rajonin e Donetsk në lindje të Ukrainës, i përfshirë në luftime për mbrojtje dhe marrje territoresh prej vitit 2014.

Në edicionin e lajmeve të orës 12:00, Muhamed Veliu raportoi nga Kramatorsk që është nën kontrollin e Ukrainës, përmes postoblloqëve dhe një vije të fortë mbrojtëse ushtarake.

E gjithë kjo zonë raportoi gazetari i Top Channel është e mbushur me flamuj të Ukrainës për të përforcuar faktin se kjo është një tokë ukrainase.

Pjesa tjetër e rajonit të Doneskut njihet si e ashtuquajtura Republika Kombëtare e Donetsk, e cila është nën kontrollin e Rusisë.

Rajoni i Donetsk ka një popullsi rreth 4 milionë banorë, të cilët gjatë këtyre tetë viteve të fundit zgjohen nga shpërthimet e fuqishme gjatë natës.

Banorët e kështushëm, tha Muhamed Veliu, nuk iu bën aspak përshtypje prag lufta mes Rusisë dhe Ukrainës, pasi ata janë në luftë.

Ky konflikt në lindje të Ukrainës prej pushtimit rus të Krimesë ka prodhuar 14.000 viktima.

Putin ka deklaruar se nëse Ukraina do të anëtarësohet në NATO dhe do të tentojë të rimarrë Krimenë, atëherë edhe Evropa do të përfshihet në këtë konflikt.

Në aspektin ushtarak ka një lëvizje të re.

Pamjet satelitore tregojnë se Rusia ka dërguar 6 anije luftarake që transportojnë pajisje amfibe.

Këto anije kanë hyrë tashmë në Detin e Zi.

Kjo lë të kuptohet se pjesë e një sulmi të mundshëm mund të vijë edhe nga deti, duke i dhënë mundësinë Rusisë në përdorimin e mjeteve amfibe.

Top Channel