Bordi i Zyrës Rregullative të Energjisë në Kosovë miratoi sot vendimin për rritjen e tarifave të energjisë elektrike për konsumatorët shtëpiak që shpenzojnë mbi 800 kilovat.
Sipas kryetarit të Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovat do të paguajnë më shumë nga nesër 12.5 cent për kilovat për tarifën e ditës dhe 6 cent për tarifën e ulët.
Kreu i ZRRE-së duke treguar se kanë zhvendosur bllok tarifën e propozuar nga 600 në 800 kilovat dhe nuk do jetë e aplikueshme për bizneset, theksoi se për konsumatorët shtëpiak që shpenzojnë deri 800 kilovat shtrenjtimi do të jetë 7 cent për tarifën e ditës dhe 3 cent për tarifën e natës, të cilën tarifë do ta mbulojë subvencionimi i paraparë nga Qeveria.
“Për konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovat për një muaj tarifa e ulët(e natës prej rreth 6 cent) dhe tarifën e lartë(e ditës) prej rreth 12 cent. Njëkohësisht për konsumatorët deri në 800 kilovat tarifa e ulët është 3 cent, tarifa e lartë është rreth 7 cent. Pra, edhe këta konsumatorë përfitojnë nga subvencioni që ekziston deri në 600 kilovat orë, por në të njëjtën kohë edhe mbi 800 kilovat, pra të dy kategoritë përfitojnë nga subvencionimi i Qeverisë, që realisht po besojmë që është e përballueshme për shumicën e konsumatorëve”, theksoi Fejzullahu.
Kryetari i Bordit të ZRRE-së tha se në bazë të kalkulimeve, konsumatorët që shpenzojnë deri 1000 kilovat shtrenjtimi do të jetë rreth 10 euro.
Ai po ashtu tregoi se kur do të nisin të aplikohen tarifat e reja për konsumatorët familjarë:
“Në bazë të kalkulimeve, ne e kemi prezantuar edhe në raport, ata që konsumojnë deri në 1000 kilovat energji elektrike do të ketë një rritje rreth 10 euro gjatë një muaji në vijim, mesatarisht. Kjo varet edhe prej konsumatorëve se sa konsumojnë ditën dhe natën energji elektrike. Mirëpo, ne kemi theksuar që kjo varet prej secilit konsumatorë… Vendimi do të aplikohet prej nesër ku do të hynë fuqi. Konsumatorët deri më këtë datë do të faturohen me tarifa ekzistuese, ndërsa prej nesër, datë 9 shkurt do të faturohen me tarifat e reja për bllokun mbi 800. Sipas vendimit këto tarifa do të mbesin në fuqi deri 31 mars 2023 kur është shqyrtimi i rregullt tarifor ashtu siç përcaktohet me legjislacionin në fuqi”.
Fejzullahu në fund tha se palët e pakënaqura mund të ankohen në gjykatë, dhe siç tha ai, do ta shqyrtojnë çdo vendim që del nga këto institucione të drejtësisë.
“Edhe këshilla juridike do të jetë në vendim që secila palë ka të drejtë që vendimet e ZRRE-së me i kontestuar në gjykatë dhe në bazë të vendimit përfundimtar të gjykatës, ne do të marrim hapa të mëtutjeshëm. Por për të gjithë ata që nuk janë të kënaqur me këtë vendim të bordit të ZRRE-së kanë të drejtë që të apelojnë në gjykatat kompetente në Kosovë”, tha ai.
Që nga viti 2017 e deri sot nuk ka pasur bllok tarifa për ekonomitë familjare.
Top Channel