Përdhunoi të miturën, e kërcënoi të vazhdonin lidhjen dhe të mos shkonte në shkollë, Apeli e lë në burg

08/02/2022 16:23

Gjykata e Apelit në Tiranë ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Par në Kurbin për shtetasin E.Gj. i cili është dënuar me 9 vite burg, pasi akuzohet për marrëdhënie seksuale me dhunë me një të mitur, të cilën e kërcënonte vazhdimisht për të vazhduar lidhjen me të, si dhe e kishte kanosur për të mos frekuentuar më shkollën.

Denoncimi ndaj shtetasit E.Gj është bërë në vitin 2019 nga vetë e mitura, me inicialet A.M. Gjykata shpalli fajtor abuzuesin dhe u dënua me 6 vite burgim, pas uljes me 1/3 të dënimit sipas nenit 406/1 të K.Pr. Penale.

Trupa gjykuese u përbë nga relatore gjyqtare Elona Toro, dhe anëtarë Adlira Petri dhe Genti Shala.

Njoftimi i plotë:

Më datë 11.06.2019, në Komisariatin e Policisë Kurbin, është paraqitur viktima e veprës penale e mitura me iniciale A.M, sëbashku me prindërit e saj dhe ka bërë kallëzimin penal ndaj shtetasit me iniciale E.Gj, i akuzuar për marrëdhënie seksuale me dhunë,kërcënime për të vazhduar lidhjen me të, si dhe kanosje për të mos frekuentuar shkollën, veprime këto, të kryera nga ana e tij në mënyrë të përsëritur, duke i shkaktuar viktimës së veprës penale gjendje të vazhdueshme dhe të rëndë ankthi e frike për sigurinë vetjake.

Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kurbin, u zhvillua gjykimi lidhur me çështjen penale me të pandehur E.GJ, i akuzuar për kryerjen e veprave penale të “Marrëdhënies seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14 -18 vjeç” dhe të “Përndjekjes”, të parashikuara nga nenet101/1 dhe 121/a/2 të K.Penal.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin, me vendimin nr. 1330-188 datë 04.12.2020 ka vendosur:

– Deklarimin fajtor të të pandehurit E.Gj për kryerjen e veprës penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç”, parashikuar nga neni 101/1 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 8 (tetë)vite burgim.
-Deklarimin fajtor të të pandehurit E. Gj, për kryerjen e veprës penale “Përndjekja” parashikuar nga Neni 121/a prg.2 i Kodit dhe dënimin e tij me 3 (tre) vite burgim.

-Bazuar në Nenin 55 të Kodit Penal “Caktimin e dënimit për disa vepra penale”dënimin me 9 (nëntë) vite burgim.
-Në aplikim të nenit 406/1 të K.Pr.Penale, uljen e 1/3 së dënimit dhe përfundimisht i pandehuri E.Gj dënohet me 6 (gjashtë)vite burgim.

-Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga i pandehuri me iniciale E.GJ, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit dhe deklarimin e pafajshëm për veprat penale të “Marrëdhënies seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14 -18 vjeç” dhe të “Përndjekjes”, të parashikuara nga nenet 101/1 dhe 121/a/2 të K.Penal.

Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Apelit Tiranë, e përbërë nga trupi gjykues me Relatore Gjyqtare znj.Elona Toro dhe anëtarë znj.Edlira Petri dhe z.Genti Shala, me vendimin nr. 88 datë 08.02.2022 vendosi:
Lënien në fuqi të vendimit nr. 1330-188 datë 04.12.2020, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin.

Top Channel