Shtetasi me inicialet K.Gj, është dënuar nga Gjykata e Apelit me 4 vite burgim për ngacmimin seksual ndaj një vajze të mitur.

Ishte vetë viktima që ka bërë kallëzimin penal më datë 15.07.2020, ndërsa policia bëri të mundur arrestimin e shtetasit K.GJ.

Ky i fundit akuzohet për ngacmim seksual ndaj të miturës me iniciale D.D., gjatë kohës që e mitura ndodhej e vetme në ambientet e biznesit të familjes së saj.

Njoftimi i plotë:

Me datë 15.07.2020, mbi kallëzimin e bërë nga viktima e veprës penale, policia e Tiranës bëri të mundur arrestimin e shtetasit me iniciale K.GJ, i akuzuar për ngacmim seksual ndaj të miturës me iniciale D.D, gjatë kohës që ajo ka qënë e vetme në ambientet e biznesit të familjes së saj.

Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, u zhvillua gjykimi lidhur me çështjen penale me të pandehur K.GJ, i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Ngacmim seksual kundër fëmijëve”, e parashikuar nga neni 108/a/2 i K.Penal.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr. 1326 datë 07.05.2021 ka vendosur:

-Deklarimin fajtor të të pandehurit K.GJ për veprën penale të“Ngacmim seksual kundër fëmijëve”, parashikuar nga neni 108/a/2 i K.Penal, dënimin e tij me 4 (katër) vjet burgim.

-Vuajta e dënimit për të pandehurin K.GJ fillon nga dita e arrestimit të tij, dhe pjesa e mbetur e pa vuajtur të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.

-Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga i pandehuri me iniciale K.GJ, i cili kërkoi pafajësi, duke pretenduar se nuk e ka konsumuar veprën penale për të cilën akuzohet.

Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Apelit Tiranë, e përbërë nga trupi gjykues me Relatore Gjyqtare znj. Elona Toro dhe anëtarë znj.Edlira Petri dhe z.Genti Shala, me vendimin nr. 89 datë 08.02.2022 vendosi:

Lënien në fuqi të vendimit nr. 1326 datë 07.05.2021, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Top Channel