Një 41-vjeçar është vënë nën prangat e policisë pasi kanosi me armë zjarri dhe qëlloi drejt nënës së tij.

Ngjarja është shënuar në fshatin Dushk, ku sipas policisë shtetasin E.K., ka gjuajtur me armë zjarri në oborrin e banesës, ndërsa është larguar me shpejtësi sapo ka parë efektivët e policisë.

Blutë kanë mundur të lokalizojnë dhe arrestojnë 41-vjeçarin, të dënuar më herët për armëmbajtje pa leje, të cilit iu sekuestrua një arma zjarri pistoletë me fishekë në fole gati për qitje dhe një krehër me fishekë luftarak.

Ndërkaq, është shpallur në kërkim edhe shoku i tij, shtetasi A.Z., me të cilin 41-vjeçari shoqërohej. Gjatë kontrollit të banesës së këtij shtetasi policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pistoletë, 46 fishekë luftarak dhe një sasi me lëndë narkotike cannabis sativa e ndarë në 31 doza.

Në njoftimin e policisë thuhet se: “Pas marrjes së njoftimit se në fshatin Dushk, një shtetas ka kanosur për të vrarë nënën e tij si edhe ka gjuajtur me armë zjarri në oborrin e banesës, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnje, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje.

41-vjeçari E.K, porsa ka parë shërbimet e Policisë është larguar menjëherë, por pas ndjekjes nga shërbimet e Policisë është lokalizuar në një lokal në fshatin Dushk, Lushnjë, dhe falë ndërhyrjes me profesionalizëm, u bë neutralizimi në kohë i tij dhe sekuestrimi i armës së zjarrit pistoletë me fishekë në fole gati për qitje dhe një krëhër me fishekë luftarak.

Gjithashtu, në vijim të veprimeve hetimore të kryera nga Policia, u ushtrua kontroll në banesën e shtetasit A. Z., me të cilën autori shoqërohej. Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit A. Z., u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë, 46 fishekë luftarak dhe një sasi me lëndë narkotike cannabis sativa e ndarë në 31 doza.

Në përfundim të veprimeve, Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. K., 41 vjeç, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe “Kanosja”, si edhe shpallën në kërkim dhe po punojnë për kapjen e shtetasit A. Z., 65 vjeç, banues në Dushk, Lushnjë, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Materialet do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprime të mëtejshme

Top Channel