Empoli e mbylli në barazim pa gola takimin jashtë fushe me Bolognan. Reagim i mirë pas humbjes me “poker” kundër Romës, teksa për skuadrën toskane u aktivizuan nga fillimi Nedim Bajrami dhe Kristjan Asllani.
Për mesfushorin 19-vjeçar të Shqipërisë U21, kjo ishte ndeshja e parë në Serie A që e nisi si titullar. Paraqitja e dy lojtarëve shqiptarë mori vlerësimin e medieve italiane.
Bajrami u vlerësua me notën 6 për 70 minutat që luajti. “Kualiteti është kryefjala e fjalorit të Nedimit, edhe pse ndonjëherë e tepron me virtuozitetin”, ndërsa ka fjalë të mira edhe për Asllanin, nota 6.5.
“Trashëgimtari i Riccit, i cili u shit te Torino. Nuk i dridhen këmbët, i mungon diçka në aspektin fizik, por ka personalitet dhe shumë cilësi. Zbret deri afër dy qendrave të mbrojtjes për të ndërtuar lojën e Empolit”.
Ndërkohë, Bernard Karrica ka shënuar golin e parë në kampionat me Dragovoljac, aty ku ndodhet në huazim nga Rijeka. Sulmuesi 21-vjeçar, autor i dy golave në shtatë ndeshje me Shqipërinë U21, realizoi golin e Dragovoljac, që humbi 1-3 përballë Osijekut në HNL kroate./ Super Sport.
Top Channel