Hiqen bursat e ekselentëve/ Shpenzime deri në 40 mijë euro, por në fund iknin nga Shqipëria

05/02/2022 15:24

Shteti shqiptar ka shërbyer ndër vite si një urë dalëse e “trurit” jashtë vendit.

Ministria e Arsimit pranon se financimi i të rinjve më të mirë për arsimim jashtë Shqipërisë nuk ka qenë i suksesshëm e madje kontributi i tyre në shoqërinë shqiptare ka qenë thuajse i pakonsiderueshëm.  Pjesa më e madhe e studentëve përfitues të fondit të ekselencës, program i cili ka nisur zbatimin që prej vitit 2007, nuk ka përmbushur detyrimin  për t’u kthyer e për të punuar në Shqipëri, ndërsa ata pak që u kthyen janë punësuar kryesisht në sektorin privat ose janë regjistruar te zyra e punësimit si të papunë.

 “Problem është zbatueshmëria. Shteti duhet të kishte mekanizma detyrues më të fortë, në mënyrë që studentët e financuar të ktheheshin aty ku shteti kishte nevojë”, shpjegon pedagogu Elvin Meka.

Top Channel ka mësuar se për 15 vite, qeveritë shqiptare kanë harxhuar nga buxheti I shtetit 1.8 miliardë lekë, për të mbështetur 300 të rinj me rezultate të shkëlqyera për studime jashtë vendit, në 15 universitetet më të mira të botës. Sipas llogaritjeve në bazë të informacionit nga Ministria e Arsimit rezulton se taksa paguesit shqiptar kanë paguar për një student rreth 30-40 mijë euro.

“Nuk ka asnjë lloj ndëshkimi për keq përdorimin e parave të taksapaguesve shqiptarë”, thotë Meka.

Për shkak të efektivitetit të ulët,  në vazhdim, të rinjtë shqiptarë nuk do të mbështeten më për edukimin jashtë, por Ministria e Arsimit ka nisur punimet për një politike të re për të financuar studentët ekselentë brenda Shqipërisë në fushat prioritare për zhvillimin e vendit.

Top Channel