​Kurti pas miratimit të masave të reja: Kosova po arrin të kalojë valën e variantit Omicron

05/02/2022 02:44

Qeveria ka miratuar propozimin e Ministrisë së Shëndetësisë për vendosjen e masave të reja anti-COVID.

Me masat e reja, ora policore do të fillojë nga ora 24:00 deri në ora 05:00, ndërkaq gastronomia do të punojë deri në orën 23:00. Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi kanë njoftuar se vendosja e maskës do të jetë e obligueshme vetëm në ambientet e mbyllura. Këto masa do të hyjnë në fuqi ditën e nesërme.

Kreu i ekzekutivit tha se masat kanë pasur efekt edhe në imunizimin e qytetarëve, ku gjatë dy javëve të fundit janë administruar mbi 40 mijë doza të vaksinës.

“Kosova po arrin të kalojë valën e variantit ‘Omicron’, dukshëm më lehtë se disa vende të tjera të rajonit e të botës. Trendi i rasteve të reja po bie për të gjashtën ditë me radhë, aktualisht është 31 përqind më i ulët se sa piku. Spitalizimet janë në nivelin 16,6 për qind të pikut të valës së variantit delta dhe janë gati pesë herë më të ulëta se sa në të njëjtën fazë të asaj vale.

Nga periudha 17 deri më 30 janar, sipas Qendrës Evropiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse për 1 milion banor, rastet e vdekjes kanë qenë kësisoj: Kosova pesë vdekje, Shqipëria 23 vdekje, Maqedonia e Veriut 89 vdekje, Serbia 52 vdekje, Mali i Zi 132 vdekje dhe Bosnjë Hercegovina 146 vdekje”, ka thënë ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA