Përpunimi i mallrave në Portin e Durrësit gjatë vitit 2021, sipas statistikave te bëra publike sot nga ky autoritet, ka njohur rritje të ndjeshme, duke arritur pothuajse në kufijtë e shfrytëzimit maksimal të kapaciteteve përpunuese që ky port ofron në kushtet aktuale, atë të 5 milionë ton për vit.

Referuar të dhënave zyrtare nga Autoriteti Portual Durrës, gjatë periudhës janar- dhjetor 2021 në portin më të madh në vend janë përpunuar 4,438,611 tonë mallra, 9% më shumë se në vitin 2019, përpara fillimit të pandemisë.

Sipas të dhënave statistikore, aktiviteti përpunues në të 4 terminalet portuale është rritur krahasimisht me vitin 2020, kur ishin prezente masat kufizuese anti-Covid, por edhe me të njëjtën periudhë të vitit 2019-të dhe atë 2018-ës, që respektivisht kanë rezultuar në bilance vjetore me : 3,881,976 tonë (2020), 4,072,543 tonë (2019), 3,614,606 tonë (2018).

Rritja e volumeve tregtare është pasqyruar dhe në rritjen e të ardhurave të APD-së, që për vitin kalendarik 2021 kanë arritur në 2,794,828,618 lekë ose 48 % më shumë se 2019 dhe 12 % më shumë se ne 2020.

Ndërsa fitimi para tatimit deklarohet se është rritur me 26.55 %, po krahasuar me vitin 2020. Divizioni Financës, konfirmon dhe rritjen e të ardhurave për metër katror me 434 lek/m2 më shumë.

APD është një prej kompanive shtetërore më të mëdha në vend.

FOTO GALERI
1/10

Top Channel