Inspektoriati Policor i Kosovës ka rekomanduar pezullimin e tre policëve kufitar të pikë kalimit në Bërnjak, pas arratisjes së Milan Radojçiç, i dyshuar për vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviç.
Mësohet se Inspektoriati Policor i Kosovës, respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve të IPK-së i kanë rekomanduar Policisë së Kosovës pezullimin e tre zyrtarëve policorë, një kapiten, një rreshter dhe një zyrtar policor, që të gjithë punonjës në pikën kufitare në Bërnjak në Drejtorinë Rajonale Kufitare “Veriu”.
Në pikën kufitare të Bërnjakut të enjten në darkë gjatë kontrollit të kalimit është paraqitur një person, të cilit IPK i referohet me inicialet M.R.
“Personi i kërkuar dyshohet është kthyer pas në drejtim të Serbisë, duke lënë dokumentet në zyrën policore të pikë kalimit kufitar”, thuhet në njoftimin e IPK-së.
Po ashtu, bëhet me dije se Prokuroria Themelore në Ferizaj ka filluar hetimet ndaj policëve për vepren penale “keqpërdorim i autoritetit apo pozitës zyrtare”.
Top Channel