Bashkia e Tiranës çel zyrtarisht siparin e aktiviteteve të vitit 2022 ku Tirana është shpallur Kryeqyteti Europian i Rinisë.
Në një ceremoni të posaçme me qindra të rinj që do jenë pjesë e eventeve të “Tirana European Youth Capital 2022” u shpalos programi dhe risitë që do të sjellë në Tiranë ky titull që jepet pikërisht në një vit të shpallur edhe nga KE si viti i Rinisë!
Drejtoresha Ekzekutive e Kongresit Rinor Kombëtar, Dafina Peci, në çelje të këtij eventi theksoi se ka pasur një boom aplikimesh nga të rinjtë për aktivitete gjatë këtij viti. “Morëm 1100 aplikime nga të rinj nga i gjithë vendi. Të gjitha do kthehen në një kalendar shumëngjyrësh aktivitetesh dhe mundësish,” u shpreh Peci.
Ndërsa Aspasjana Kongo, Koordinatore e Përgjithshme TEYC 2022, u shpreh se ky titull për Tiranën ka thyer 3 rekorde. “Tirana e ka marrë titullin si Kryeqyteti Europian i Rinisë që në aplikim. Rekordi i dytë është sepse për herë të parë këtë titull e merr një kryeqytet dhe së treti, ky program ka një shtrirje në të gjithë territorin e vendit,” bëri të ditur Kongo.
Top Channel