Presidenti i vendit, Ilir Meta

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Vitore Tusha ka shtyrë për në datën 7 shkurt ora 10:00 seancën e radhës ku do të shqyrtohet kërkesa për shkarkimin e Presidentin Ilir Meta.

Vendimi u mor për t’u lënë 48 orë kohë përfaqësuesve të Presidentit për t’u përgjigjur pyetjeve të gjyqtarëve.

Përgjatë sesionit të dytë, katër anëtarë nga shtatë, i kanë paraqitur përfaqësuesve të Presidencës, Bledar Dervishaj dhe Katerina Treska, disa pyetje me interes për procesin.

Pas pyetjeve të parashtruara nga gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, këshilltari ligjor i Presidentit, Bledar Dervishaj ka kërkuar 48 orë kohë për t’u përgjigjur rreth 70 pyetjeve, me argumentin se do të konsultohen me kreun e shtetit.

Nga ana tjetër, ka qenë deputetja socialiste Klotilda Bushka, përfaqësuese e Kuvendit në këtë proces, e cila ka thënë se palës së saj, i janë dashur vetëm dy orë kohë për t’u përgjigjur. Ndaj, nuk është e nevojshme që Presidenca të ketë kaq shumë afat.

Mirëpo, sipas Dervishajt, arsyeja pse është mbledhur seanca është për shkarkimin e presidentit dhe jo të Kuvendit. Ndaj, sipas tij, duhet më shumë kohë.

Tashmë gjykata është tërhequr për një vendim të ndërmjetëm për të përcaktuar sa kohë do t’i japin presidentit për t’u përgjigjur.

Çfarë u diskutua gjatë seancës? 

Në seancën e sotme në Gjykatën Kushtetuese ku u shqyrtua kërkesa për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, pala mbrojtëse u paraqit në gjykatë me një dosje voluminoze prej 140 faqesh.

Në fjalën e tij, përfaqësuesi ligjor, Bledar Dervishaj tha se pas marrjes së pyetjeve nga ana e Gjykatës, Presidenca ka përgatitur të gjitha përgjigjet e nevojshme mbi çështjen.

Kërkesat e Metës, mbeten po të njëjtat me ato në seancën e parë ndaj tij, e cila u mbajt më 1 shkurt. Mbrojtja e Presidentit theksoi se asnjë akt i vetëm i Metës, nuk është arritur të zbulohet, ku kreu i shtetit mund të implikohet me shkelje kushtetuese.

Po ashtu, sipas Dervishajt, është shkelur edhe parimi i shtetit të së drejtës dhe i paanësisë.

Sipas tij, Komisioni i Ligjeve, shkeli Kushtetutën duke mos respektuar asnjë afat. Ai deklaroi se vendimi për shkarkimin e Presidentit është realizuar në një periudhë tranzitore të Kuvendit, duke theksuar më tej se Komisioni Hetimor u ngrit në mungesë të një objekti në dispozicion dhe Kuvendi ka ndërhyrë në kompetencat e kreut të shtetit.

Nëse një veprimtari hetimore ka nisur, në zbatim të ligjit për Komisionet Hetimore, ato kanë detyrë ta ndërpresin atë, në çastin kur janë në periudhë zgjedhore”, ka argumentuar Dervishaj.

Ai akuzoi Kuvendin se ka tentuar të ndërhyjë në mënyrën se si Presidenti ka ushtruar funksionin e tij dhe për këtë arsye, sipas tij, Kuvendi ka shkelur parimin e ndarjes së pushteteve.

Nisëm fiktive. Shkeljet janë të dukshme të rënda dhe flagrante dhe duhet të shfuqizohen nga Gjykata Kushtetuese. Kuvendi tentoi të hyjë drejtpërdrejt në mënyrën se si Presidenti ushtron kompetencat e tij. Kuvendi me dashje shkeli parimin e ndarjes së pushteteve. Kuvendi tentoi të delegjitimojë dhe kufizojë veprimtarinë e Presidentit, duke përçuar në publik, se është Kuvendi që i ka rolet dhe ekskluzivitetin e së drejtës”, deklaroi Dervishaj.

Pala mbrojtëse e Presidentit të Republikës, duke radhitur si pas peshës së tyre një sërë argumentesh, analizon se e gjithë çështja është bërë për qëllim hakmarrjeje.

Kjo mënyrë veprimi, pa objekt dhe lëndë, nuk ka arritur të identifikojë veprim apo akt të rëndë, e për më tepër duke evidentuar qartë se procesi është iniciuar politikisht, duke u hakmarrë ndaj Presidentit, duke kufizuar rolin e tij dhe shmangur vëmendjen nga të gjitha problematikat e procesit zgjedhor”, tha ai.

Më pas, Dervishaj, ka vijuar me shtjellimin e çështjes, duke formuluar akuza mbi qeverisjen e katër viteve të shkuara.

Që në krye të herës, përfaqësuesi ligjor i institucionit të Presidentit, duke cituar raportin e OSBE-së për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017, theksoi se OSBE, pati pikasur probleme me vjedhjen e votës dhe blerjen e saj.

Rekomandimet e ODIHR për zgjedhjet e 2017-ës mbeten të patrajtuara. Në media rrodhën informacione për përfshirje kriminale të përfaqësuesve të shumicës. Dosjet e Dibrës vërtetuan lidhjet e pushtetarëve me krimin dhe mosreagimi i Prokurorisë për këto dy dosje”, tregoi ai.

Ai nuk harroi të sjellë në tavolinë edhe tërheqjen e opozitës nga Parlamenti dhe djegien e mandateve, duke nënvizuar për rrjedhojë më pas se grupet parlamentare nuk e përfaqësonin më opozitën.

Dorëheqja në bllok e 55 deputetëve të opozitës, të cilët dorëzuan mandatet. Shumica reagoi menjëherë, duke bërë zëvendësimin e mandateve me një procedurë të paparë ndonjëherë. Kushtetuta dhe rregullorja e Kuvendit përcakton se edhe për një deputet, tërheqja nga mandatet kalon nga Këshilli i Mandateve dhe rregullores dhe pastaj në seancë. Një gjë të tillë e bëri Sekretari i Përgjithshëm, i cili njoftoi KQZ-në dhe kjo e fundit i zëvendësoi të gjithë, me deputetë që ndodheshin nga fundi i listës, për të cilët vullneti i popullit nuk kishte bërë të mundur zgjedhjen e tyre. Shumica përmes një rezolute urdhëroi zhvillimin e zgjedhjeve”, tha Dervishaj.

Dervishaj theksoi se shkarkimi i Presidentit erdhi nga këto grupe parlamentare, të cilat nuk e përfaqësonin opozitën.

Për këtë arsye, është vendim i pavlefshëm”, tha ai.

Në mënyrë të përmbledhur do evidentojmë se çfarë ka ndodhur në Shqipëri në këto 4 vite dhe sa janë dëmtuar interesat e qytetarëve shqiptar. Vendimet dhe qasjet e gabuara që kanë pasur ndikim. Në shuarjen e përkohshme të demokracisë në pushtetin vendor, keqinformimin e publikut të gjerë dhe që kanë ndikuar në prosperitetin e vendit. Në seancën e kaluar u morën shembuj të doktrinës kushtetuese të vendeve të ndryshme, por doktrina nuk i ngjan aspak asaj që ka ndodhur në Shqipëri dhe për të përshkruar rrethanat e faktit, pas zgjedhjeve të 2017-ës, rezultati prodhoi një përbërje të Kuvendit me PS, LSI, PD, PSD dhe PDIU. U formuan tre grupe parlamentare: PD,LSI dhe PS. Kur u mor vendimi, Kuvendi përbëhej nga grupe parlamentare “opozitare” që nuk përfaqësonin partitë politike, pjesëmarrëse në zgjedhje. Në momentin kur Kuvendi mori vendimin për shkarkimin, përfaqësohej nga PS, dhe grupi demokrat”, tha ai.

Ai theksoi se Shqipëria përgjatë legjislaturës së nëntë u përfshi në një krizë të rëndë shumë planëshe e komplekse që përmbante elemente të një krize politike kushtetuese të përfaqësimit.

Elementi i parë i saj, nisi me zgjedhjet në kundërshtim me Kushtetutën, të zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm, dhjetor 2017 me 69 vota. Ky ishte shkaku i parë i krizës dhe mosbesimit të thelluar mes palëve”, tha ai.

Po ashtu, sipas tij, një element tjetër është se në dhjetor të 2018, vendi u përfshi në protesta masive të studentëve dhe Kryeministri u detyra të ripërtërinte më shumë se gjysmën e kabinetit qeveritar. Ndërkaq, shton ai, në dhjetor të 2019, pasi Presidenti zgjodhi anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, kryeministri nuk u ndal, duke i kërkuar organeve mos zbatimin e dekretit të Presidentit dhe zgjeroi hetimin për shkarkimin e tij .

Në seancën e parë të zhvilluar me datë 1 shkurt, pasi 11 orësh debat, Kushtetusja vendosi ta shtyjë seancën për ditën e enjte.

Më 9 qershor, me 104 vota pro, Kuvendi i Legjislaturës së kaluar vendosi shkarkimin e Presidentit, ndërsa tani duhet një vendim kushtetues që Meta të shkarkohet.

Përpara trupës me shtatë anëtarë të Gjykatës, përfaqësuesit e Kuvendit dhe të Presidentit mbrojtën qëndrimet e tyre të shprehura përgjatë gjithë kësaj kohe.

Përfaqësuesit e maxhorancës, Taulant Balla dhe Klotilda Bushka, deklaruan se Presidenti duhet të shkarkohet për shkelje të rënda të Kushtetutës, duke mos qëndruar mbi palët para dhe gjatë fushatës, duke vënë në rrezik jetën e qytetarëve me deklarata dhe thirrje të forta dhe duke cenuar marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Presidentit, Bledar Dervishi dhe Katrin Treska, deklaruan pretendimet e tyre mbi anëtarët e Kushtetueses, legjitimitetin e Kuvendit dhe rrëzimin e çështjes.

Top Channel