Banorët e zonës së Paskuqanit u ngritën gjatës ditës së sotme në protest për të kundërshtuar devijimin e projektit të Unazës së Madhe. Sipas tyre nga ky devijim preken më tepër se 100 godina.

Banorët tentuan të bllokonin rrugën por nuk u lejuan nga efektivët e policisë. Sipas autoritetit Rrugor Shqiptar për projektin e Unazës së Madhe nuk ka devijim. Gjurma e projektit është miratuar nga të gjitha instancat shtetërore dhe nga këshilli kombëtar i territorit.

Në total nga i gjithë projekti i Unazës së Madhe do të preken 654 objekte. Banorët që kanë banesat e legalizuara do të shpronësohen, ndërsa për banesat që nuk kanë dokumentacionin përkatës do të trajtohen sipas legjislacionit në fuqi.

Unaza veriore e Tiranës ka një gjatësi prej afro 8.5 km dhe është e ndarë në 7 lote. Ky segment bën të mundur lidhjen me rrugën e Arbrit duke lehtësuar qarkullimin e automjeteve që vijnë apo udhëtojnë drejt qarkut të Dibrës.

Kompletimi i Unazës së madhe do të lehtësojë ndjeshëm hyrjen në kryeqytet pasi bën të mundur lidhjen e të gjitha akseve rrugore.

Top Channel