“Me FSHF-në jo vetëm e imja, por e të gjithëve”/ Veliaj: Fituam betejën me betonieret!

02/02/2022 15:27

Kryebashkiaku Erion Veliaj falenderoi drejtues dhe efektivë të Policisë së Tiranës jo vetëm për shërbimin ndaj qytetarëve por dhe për ndihmën në disa prej betejave për zhvillimin e qytetit.

“I kemi qëndruar vendimit për ndalimin e betoniereve – si një vendim i përbashkët i Policisë së Shtetit, Policisë Rrugore, Bashkisë së Tiranës dhe Policisë Bashkiake – sepse besojmë se i shërben për 99% të popullsisë. Unë besoj se kjo ishte një betejë që u fitua. Edhe tek “5 Maji” beteja mori një drejtim. Zonja në fjalë (Liza Marku) ka marrë 364 metra katrorë banesë. Bashkia dhe policia nuk mund të të detyrojë t’i marrësh me zor, por kontratën e aty e ka”.

Veliaj u ndal edhe te beteja me FSHF-në dhe theksoi se kjo betëjë është e të gjithëve.

“Unë kam hyrë në një betejë tjetër, e cila është edhe beteja juaj sepse më duket fyese që disa hargalisen në tribunë, kurse policët hanë gjithë shkopinjtë, gurët e shishet kokës. Një prind që është polic nuk e di si ia del që të gjejë 20-30 mijë lekë nga rroga e tij për të çuar fëmijën të luajë futboll. Jam i sigurt se heq diçka mënjanë sepse ka një rrogë modeste. Por, ta kesh bërë këtë për 15 vjet dhe në fund të vendosë një bandë në Shijak kujt i bën fëmija dhe kujt nuk i bën, në varësi të mbiemrit, lekëve që paguan apo të njohjeve që ka me politikën, s’ka asnjë kuptim! Kjo nuk është vetëm beteja ime! Kjo është beteja e të gjithëve”.

Top Channel