Vrasësi italian infektues me HIV burgoset 22 vjet pas përndjekjes nga motra e viktimës (fotot)

01/02/2022 15:47

Një avokate italiane motra e së cilës vdiq nga AIDS, ka ndihmuar në burgosjen e burrit që e infektoi me dijeni, pasi e ndoqi atë dhe zbuloi se kishte infektuar dhe katër gra të tjera më herët.

58 vjeçari Luigi De Domenico u shpall fajtor për vrasje javës që shkoi dhe u dënua me 22 vjet burg nga një gjykatë në Messina, në Siçili, falë përpjekjeve të palodhura të avokates Silvia Gambadoro, 54 vjeçe, e cila i kishte vënë qëllim vetes së sillte para drejtësisë vrasësin e motrës së saj.

Motra e Silvia, Stefania vdiq nga virusi AIDS në 2017, në moshën 45 vjeçare, kur pesha e saj arriti 35 kg, duke lënë pas të birin 12-vjeçar.

Në gjyq u tha se De Domenico merrte mjekime kundër HIV prej vitit 2010 dhe e dinte se ishte pozitiv me sëmundjen infektuese, edhe kur ishte me Stefania.

Stefania kishte qenë në një marrëdhënie me De Domenico nga viti 2005 deri në 2008, dhe ai ishte babai i djalit të saj.

Ajo u diagnostikua me AIDS në fund të vitit 2016, teksa simptomat e rënda të stërlodhjes dhe humbjes në peshë kishin nisur në 2015.

Ajo ishte diagnostikuar fillimisht me anoreksi dhe leukemi, teksa specialistët nuk arrinin të zbulonin cila ishte sëmundja që po e vriste.

Duke folur për të përditshmen La Repubblica, Silvia tha: “Kërkimi i të vërtetës ishte një detyrë për mua, për Stefanian, për dy prindërit tanë, dhe për nipin tim, i cili u detyrua të rritej para kohe”.

“Ne kemi ndarë bashkë gjithçka, edhe vendimin për të denoncuar babanë e tij, ai e dinte se asnjë gjyq nuk do t’i kthente përsëri nënën e tij”.

E përditshmja raportonte se Silvia, e cila dyshonte për De Domenico sapo zbuloi diagnozën e të motrës, i kishte telefonuar atij në 2016.

Ajo e kishte pyetur nëse ishte pozitiv me  HIV por burri e kishte mohuar.

Silvia bëri ankimimin e saj të parë në 2017, një muaj pas vdekjes së të motrës.

Pak më vonë Silvia kishte marrë një letër anonime nga një grua që thoshte se kishte rezultuar pozitive me HIV pasi kishte qenë në një marrëdhënie me De Domenico.

Hetuesit zbuluan se të dyja gratë ishin infektuar nga i dyshuari.

Një grua në Bologna e kishte denoncuar atë por De Domenico u lirua nga akuzat me justifikimin se nuk e dinte se ishte i infektuar, shkruan  The Times.

Silvia thotë se De Domenico ishte një burrë i pashëm dhe manipulues me femrat, i cili e kishte izoluar motrën e saj nga familjarët.

Ajo thotë se De Domenico “e la atë të vdiste”.

Silvia tha në gjykatën e Messina se De Domenico kishte përmendur se një partnere e mëparshme i kishte vdekur nga kanceri në vitin 1990. Por hetuesit zbuluan se edhe ajo grua kishte vdekur nga AIDS/Sida.

De Domenico u shpall fajtor për vrasje nga gjyakta e Messina sepse kishte infektuar me ndërgjegjie Stefanian.

Duke folur me të përditshmen siçiliane  l’Eco del Sud , Silvia ka thënë se “paragjykimi dhe indiferenca janë elementët kryesore të kësaj tragjedie” pasi profesionistët nuk kishin diagnostikuar si duhet motrën e saj.

Ajo tha: “Në dy vitet e ekzaminimeve, simptomat tregonin se nga se vuante Stefania, por meqënëse ishte avokate ata besonin se ‘një grua e respektueshme’ nuk mund të ishte infektuar me HIV.”

Sipas  La Repubblica një mjek hematolog dhe një reumatolog  janë paditur për vrasje nga pakujdesia.

Silvia tha për l’Eco del Sud se ishte e lumtur që i kishte treguar nipit të vërtetën dhe që kishte luftuar paragjykimin  se ata që infektohen me  HIV janë me ‘reputacion të ulët’.

FOTO GALERI
2/4
Silvia Gambadoro, 54 vjeçe, e cila i kishte vënë qëllim vetes së sillte para drejtësisë vrasësin e motrës së saj.

Top Channel