Përurohet statuja e “Mbretëreshës Geraldinë” te Bulevardi “Zogu I”; Veliaj: “Raporti mes Shqipërisë dhe Hungarisë është special; Urat që lidhen mes njerëzve janë të pathyeshme”

01/02/2022 14:17

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i pranishëm në ceremoninë e përurimit të statujës së Mbretëreshës Geraldinë, e vendosur në Bulevardin “Zogu I”, tha se ndihet krenar që drejton këtë qytet, që sot i respekton të gjithë ata që kanë lënë gjurmë në vendin tonë.

“Kemi pasur një vit shumë intensive: Fillimisht vendosëm statujën e Skënderbeut në sheshin dhe parkun kryesor të Budapestit, kurse sot përurojmë statujën e Nënës Mbretëreshë në Bulevardin kryesor të Tiranës. Nuk ka mënyrë më të mirë për të shprehur këtë lidhje midis dy shteteve. Midis Shqipërisë dhe Hungarisë ekziston një raport i veçantë. Edhe bashkitë respektive bëjnë punën e tyre: kemi një raport të shkëlqyer me bashkinë e Budapestit, por raporti mes njerëzve është më i miri. Raporti që kanë zhvilluar njerëzit, duke filluar nga Janosh Huniadi me Skënderbeun, dhe i Mbretit tonë Zog me mbretëreshën Geraldinë, tregon se urat që lidhen mes njerëzve janë të pathyeshme”, pohoi Veliaj.

Zëvendës-ministri i Hungarisë për Punët e Jashtme dhe Tregtisë, për Politikat e Sigurisë, Péter Sztáray, i cili mbërriti në Tiranë posaçërisht për këtë përurim foli për marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Hungarisë ndër vite.

“Ne jemi shumë të nderuar dhe shumë të lumtur që jemi këtu sot. Ne hungarezët e çmojmë shumë këtë miqësi që ekziston prej një kohe të gjatë me popullin shqiptar. Historia jonë, përmes shekujsh, ka treguar që jemi së bashku dhe gjithmonë kemi pasur një frymë të mirë bashkëpunimi që prej Skënderbeut dhe Janosh Huniadit e deri më sot”, nënvizoi zëvendës-ministri hungarez, Peter Sztáray.

Princi Leka Zogu tha se kjo vepër arti do të stolisë një nga arteriet qendrore të kryeqytetit. “Zoti ambasador dhe zoti kryetar i bashkisë, falë punës dhe këmbënguljes suaj historia do t’ju mbajë mend si artizanë të vërtetë të paqes dhe të vëllazërisë mes kombeve tona. Falenderoj në mënyrë të posaçme anëtarët e Këshillit Bashkiak të Tiranës, që kanë përzgjedhur këtë shesh në mes të Bulevardit “Zogu I”, si vendin e ngritjes së shtatores së Mbretëreshës Geraldinë, ata kanë përmbushur një amanet që vjen nga historia dhe kanë drejtuar gishtin nga aspirata e popullit shqiptar për pajtim kombëtar”, tha Princ Leka.

Ceremonia e përurimit të statujës së Mbretëreshës Geraldinë është një bashkëpunim i Bashkisë Tiranë me Ambasadën Hungareze. Statuja është realizuar nga skulptori Sandor Kligl dhe është një donacion i Ambasadës Hungareze për qytetin e Tiranës.

FOTO GALERI
25/25

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA