Kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka folur para gazetarëve në kryesinë e Kuvendit për zgjatjen e mandateve të vettingut.
Balla është pyetur nëse po negociojnë me opozitën apo ia kanë lënë si çështje ndërkombëtarëve, për të cilën tha se është domosdoshmëri. Ndër të tjera theksoi se pa vettingun, nuk do të kishim drejtësi të pastruar.
“Mendoj që zgjatja e mandateve të organeve të vettingut nuk është një çështje e bindjeve politike. Pa vettingun, nuk do të kishim sot një drejtësi të pastruar o me lidhje korruptive dhe kriminale, o njerëz që nuk justifikojnë pasuri ose me dimensionin e përgatitjes profesionale. Iniciativa për shtyrjen e mandatit të vettingut është domosdoshmëri. Vetëdija dhe përgjegjësia e secilit prej deputetëve na detyron që të jemi në sallën e Kuvendit dhe të votojmë”, tha Balla.
Përveç socialistëve, kërkesa për zgjatjen e mandatit për Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe Komisionerin Publik, ka ardhur edhe nga përfaqësues të Komisionit Evropian dhe institucioneve të vettingut në një seancë dëgjimore zhvilluar dy muaj më parë me Këshillin për Legjislacionin në Kuvendin e Shqipërisë.
Maciej Popowski, kryetar i Bordit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM pranë Komisionit Evropian tha përmes një lidhjeje online se e mbështeste nismën e Kuvendit për amendimin e Kushtetutës, me qëllim zgjatjen e mandatit të institucioneve të vettingut. Ai e cilësoi reformën në drejtësi si një nga reformat më të mëdha që Shqipëria kishte ndërmarrë për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian.
Mazhoranca ka kërkuar zgjatjen mandatit të organeve të procesit të verifikimit të figurave zyrtare, pasi më 17 qershor 2022, Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Komisionerit Publik i përfundon mandati.
Kushtetuta parashikon se kur i përfundon mandati KPK-së dhe komisionerëve publikë, çështjet e papërfunduara të rivlerësimit shqyrtohen nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
PS ka propozuar shtyrjen e mandatit të komisioneve që kryejnë procesin e vettingut në sistemin e drejtësisë deri në vitin 2024.
Për të zgjatur afatin e funksionimit të dy organeve të reja të drejtësisë, mazhorancës socialiste i duhen edhe votat e opozitës, pasi nevojiten 94 vota.
Top Channel