Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur ditën e sotme me ironi akuzave të Partisë Demokratike se ai ka shpenzuar 120 mijë euro për një udhëtim për qejf.
Opozita akuzon kreun e qeverisë se ka bërë së fundmi një udhëtim charter luksoz me paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe ka udhëtuar në Evropë me një charter që vetëm për karburantin janë paguar 120 mijë euro.
Rama i është përgjigjur të gjitha pyetjeve dhe akuzave të ardhura nga deputetja e PD-së, Oriola Pampuri!
Deputetja Orjola Pampuri: Rama ka udhëtuar me charter privat, jo për të zgjidhur ndonjë hall të shqiptarëve por për qejfet e veta. Edi Rama harxhon paratë e taksave të shqiptarëve.
Kryeministri Edi Rama: Në fakt jo, unë jam i pari kryeministër në këtë vend qëudhëtimet e mia shumë të rralla private me familjen, nuk i bëj kurrë me shpenzimet e shtetit.
Deputetja Orjola Pampuri: A përdore charterin privat për të dhënë intervistë për ”Manager Magazine”?
Kryeministri Edi Rama: Jo, kam përdorur me biletë vajtje-ardhje, ulëset ekonomike tëLufthanses, së bashku me gruan dhe djalin e vogël.
Deputetja Orjola Pampuri: Sa para ke shpenzuar vetëm për charterin në këtë udhëtim luksi?
Kryeministri Edi Rama: Bileta ekonomike e Lufthanses ka kushtuar 345 Euro.
Deputetja Orjola Pampuri: Kush ka firmosur për udhëtimet e tij? Kush i ka paguar ato?
Kryeministri Edi Rama: Mesatarja vjetore e shpenzimeve për udhëtimet e mia zyrtare, të cilat paguhen nga fondi i kryeministrisë, është më e ulët se sa mesatarja vjetore e shpenzimeve të paraardhësve të mi, për arsyen e thjeshtë se ata udhëtonin në business class ndërsa unë kam udhëtuar thuajse tërësisht në ekonomik, me përjashtim te ndonjë rasti të veçantë – e njëjta gjë edhe për ministrat. Ndërkohë qysh prej vitit 2020, kur kishim presidencën e OSBE, u bë një marrëveshje me kompaninë Air Albania dhe shpenzimi për vitin 2021 ishte nën mesataren e viteve të mëparshme.
Deputetja Orjola Pampuri: Vetëm për karburantin e një udhëtimi qejfi të Edi Ramës, harxhohen 120 mijë euro nga paratë e shqiptarëve.
Kryeministri Edi Rama: Sasia më e lartë vjetore e shpenzimeve për udhëtimet e mia zyrtare ka qenë 4.623.089 lek në vitin 2014. Ndërsa shifra 120 mijë euro karburant për fluturim privat, është produkt i të njëjtës aritmetikë fantastiko-shkencore, që nga 1958 ulëset e Pallatit të Kongreseve nxori 5004 delegatë. Po t’i shumëzosh këta delegatë me 30 dhe pastaj të zbresësh 30, dalin fiks 120 mijë euro karburant për 7×7 brava, baraz 42 fluturime.
Top Channel