Osmani deklarohet kundër “modeleve që bëjnë shtetin jofunksional”

31/01/2022 10:58

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të hënën se institucionet e Kosovës nuk kanë pranuar propozime për autonomi të zgjeruar në pjesën veriore të Kosovës apo Asociacion me kompetenca ekzekutive.

Ajo i ka bërë këto deklarata nga Podujeva, teksa ka konfirmuar takimin me të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Të dy nisin më 31 janar vizitën pesëditore në Kosovë dhe Serbi.

Vizita e diplomatëve vjen pasi Kosova dhe Serbia, qysh në korrik të vitit 2021, nuk kanë zhvilluar asnjë rund bisedimesh në nivel të lartë, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Pritet që çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe të jetë një nga temat që do të diskutohen gjatë vizitës së tyre.

Asociacioni është pjesë e një marrëveshjeje që është arritur në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Lidhur me Asociacionin, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë së voni se ka modele, për të cilat SHBA-ja mendon se mund të funksionojnë dhe se Qeverisë së Kosovës i është kërkuar që t’i shqyrtojë ato.

“Propozimet për të cilat po përflitet për kinse autonomi të zgjeruar apo ndonjë lloj Asociacioni me kompetenca ekzekutive, asnjëherë u nuk janë prezantuar institucioneve të Republikës së Kosovës. Ajo që ka qenë problem i madh është se kanë qenë përfaqësues të Republikës së Kosovës ata të cilët kanë nënshkruar marrëveshje të dëmshme, të cilat Asociacionit i kanë dhënë kompetenca ekzekutive. Duhet ta themi një realitet që është pasi është e zeza mbi të bardhë, është letër e nënshkruar nga ish-kryeministra të Kosovës dhe përgjegjësia duhet të merret si e tillë”, ka thënë Osmani.

Ajo ka thënë se institucionet e Kosovës janë të vendosura që të mos lejojnë zbatimin e modeleve që do ta bënin këtë shtet jofunksional.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka konfirmuar takimin me dy zyrtarët, mirëpo nuk është deklaruar rreth raportimeve për Asociacionin.

“Besoj që pas takimit është më e drejtë dhe më e mirë që të japim komentet tona”, ka thënë ai.

BE-ja vazhdimisht bën thirrje që Asociacioni të krijohet, duke thënë se “është obligim i Kosovës nga Marrëveshja e Brukselit”, por Qeveria aktuale e Kosovës, e udhëhequr nga Kurti, thotë se nuk mund të ketë asociacion me bazë njëetnike

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA