Ëndrra e Xavit për të marrë shërbimet e Alvaro Moratës, duket e destinuar të mbetet në sirtar, të paktën deri në fund të sezonit, pasi Atletico e Madridit ka vënë veton, duke refuzuar kalimin e spanjollit në “Camp Nou”.
Afrimi i Vlahovic te Juventusi, ka nxjerrë Moratën jashtë planeve të Allegrit, megjithatë sulmuesi është i huazuar nga Atletico e Madridit, që ka pronësinë e kartonit dhe pikërisht Los Colchoneros kanë refuzuar transferimin e tij te Barcelona deri në fund të sezonit, pasi nuk duan të forcojnë një rival direkt në kampionat.
Pikërisht për këtë arsye, drejtuesit e klubit katalan kanë vendosur të ndryshojnë objektiv dhe po negociojnë me Pierre Emenick Aubameyang, i cili ka prishur marrëdhëniet me Arsenalin dhe po pret fundin e sezonit për t’u larguar si lojtar i lirë. Megjithatë drejtuesit e Barçës janë gati të paguajnë një shifër prej 10-15 milionë eurosh, për të marrë sulmuesin nga Gambia menjëherë, por për momentin problem mbetet federimi i rij në La Liga, pasi katalanët i kanë ezauruar limitet e tyre.
Zgjidhja mund të vijë nga Ousmane Dembele, i cili gjithashtu ka refuzuar rinovimin me Barcelonën dhe mund të largohet brenda janarit. Nëse francezi lë “Camp Nou”-n, atëherë Barca do të lirohet nga paga e tij e lartë dhe do të ketë mundësinë të federojë futbollistë të tjerë për pjesën e mbetur të sezonit.
Top Channel