Policia e Kosovës njoftoi se disa zyrtarë të saj janë lënduar gjatë protestës së sotme të organizuar nga Partia Socialdemokrate dhe për këtë thotë se ka nisur një hetim për sulm ndaj personave zyrtar në krye të detyrës.

Protesta u mbajt sot në Sheshin “Skenderbeu” dhe para objektit të Qeverisë së Republikës së Kosovës në Prishtinë. Për këtë ka reaguar Sindikata e Policisë së Kosovës duke kërkuar që të nisin hetimet.

“Policia e Kosovës, në përputhje me autorizimet ligjore ka monitoruar situatën me qëllim të sigurisë të të gjithë pjesëmarrësve dhe rendit publik. Gjatë kësaj proteste përveç hedhjes së mjeteve të ndryshme nga protestuesit, në mënyrë poshtëruese fizikisht sulmohen zyrtarët policor gjatë kryerjes së detyrës zyrtare me që rast lëndohen tre zyrtar policor.Njëri nga zyrtarët policor sulmohet ,duke u goditur me shuplakë në fytyrë.

Ky sulm shihet shumë qartë në videoincizimet e kamerave, prandaj kërkojmë nga organet e drejtësisë që menjëherë të veprojnë sipas procedurave ligjore dhe të gjithë ata që i kanë sulmuar zyrtarët policor të hetohen zyrtarisht”, thuhet në njoftim.

Sindikata e Policisë konsideron se sulmi i ushtruar ndaj Policisë është sulm ndaj Shtetit të Kosovës, prandaj Prokuroria dhe Gjykata duhet të reagojnë menjëherë duke respektuar parimin ligjor “askush mbi ligjin”.

Top Channel