Policia anti-droga e Kolumbisë ka sekuestruar një dërgesë madhore prej 20,000 arra kokosi të mbushura me kokainë të lëngshme, pak para se të niste rrugëtimin drejt Evropës.
Kapja u bë në portin e Cartagena, në brigjet kolumbiane të detit të Karaibeve, nga ku arrat e kokosit po niseshin drejt Genoas në Itali.
Prokuroria dhe njësia anti-droga e Kolumbisë kontrolluan ngarkesën e frutave që po transportoheshin në 504 thasë lecke, dhe zbuluan se qumështi natyral i kokosit ishte zëvendësuar me një tjetër lëng që ishte injektuar brenda kokrrave.
“Pas inspektimit u zbulua se lëngu i frytit tropikal ishte zëvendësuar me kokainë të lëngshme,” tha prokuroria qendrore kolumbiane në një deklaratë.
Frutat u dërguan në laborator për inspektime të mëtejshme për të përcaktuar sasinë e saktë të kokainës në çdo arrë kokosi.
Asnjë arrestim nuk është bërë deri tani por prokuroria tha se po hetophet për të zbuluar origjinën e mallit dhe përgjegjësit e trafikut.
Prodhimi i kokainës në Kolumbi raportohet më i lartë se kurrë duke arritur rekordin në 2017 sipas një raporti nga agjencia e drogave e OKB.
Shumica e kokainës që vjen në Evropë hyn nga Spanja dhe Italia, si dhe nga portet e mëdha të Holandës dhe Belgjikës në veri.
Top Channel