Një 43-vjeçar i dënuar nga autoritetet shqiptare me 24 vite burg për disa vepra të rënda penale është ekstraduar nga Belgjika.

Bëhet fjalë për shtetasin Dritan Kola alias Mark Kola, 43-vjeç, i cili ka qenë edhe pjesë e “bandës së Babagjyshave.”

Sipas policisë, Dritan Kola ka qenë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që ka kryer disa grabitje me armë në Shqipëri, Maqedoni dhe Kosovë.

Ky shtetas, në vitin 2014, në bashkëpunim me shtetasit F. P. dhe M. Sh., ka vjedhur me armë në një kompleks në rrugën “Konferenca e Pezës”.

“Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, Tiranë, në vitin 2014, i ka vendosur masën e sigurimit “Arrest në burg”, për veprat penale “Vjedhja me armë”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Ndërsa Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, në vitin 2018, e ka dënuar këtë shtetas, me 24 vjet burg, për veprat penale “Vjedhja me armë”, “Plagosja e rëndë me dashje”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Shtetasi Dritan Kola ka qenë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që ka kryer disa grabitje me armë në Shqipëri, Maqedoni dhe Kosovë. Ky shtetas, në vitin 2014, në bashkëpunim me shtetasit F. P. dhe M. Sh., ka vjedhur me armë në një kompleks në rrugën “Konferenca e Pezës””, thuhet në njoftimin e policisë.

Top Channel