Nënshkruhet marrëveshja për rehabilitimin elektromekanik të HEC Fierzë, Soreca: Projekt model që mbështetet nga BE

28/01/2022 17:16

Ditën e sotme është nënshkruar marrëveshja për rehabilitimin Elektromekanik të HEC Fierzë.

Ky projekt parashikon ndërhyrjen në turbinën 1 dhe 3 të HEC Fierzë si dhe rehabilitimin e plotë të gjeneratorëve të katër turbinave në këtë HEC.

Kjo ndërhyrje do të forcojë kapacitetet menaxhuese dhe operuese të KESH-it, veçanërisht në lidhje me rolin e tij në të ardhmen si ofrues energjie në tregun e liberalizuar të energjisë shqiptare dhe në rajon.

Në këtë aktivitet ishte i pranishëm edhe Ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca, i cili shprehu mbështetjen e BE në këtë projekt të rëndësishëm.

“Është një aktivitet shumë i rëndësishëm dhe BE është shumë i kënaqur që mbështet Shqipërinë me këtë grant të BE, me 8.35 mln euro për këtë investim madhor. Rehabilitimi i këtij hodrecentrali është një projekt i një rëndësie strategjike për Shqipërinë dhe Rajonin. Është një nga projektet model që mbështet BE si pjesë e planit të investimeve ekonomike për Ballkanin Perëndimor. Hidrocentrali i Fierzës është jetik për Shqipërinë dhe do të thotë që do të sigurojë furnizimin me energji për më shumë se 200 mijë familje nga një burim i energjisë së rinovueshme.

Ky është një kontribut për të rritur sigurinë e energjisë për Shqipërinë dhe të ulet varësia e Shqipërisë nga prodhimi nga jashtë. Kriza energjetike dhe çmime ndërkombëtare që kanë shkuar më lart se ç’kanë qenë, ky është një hap i rëndësishëm. Ne kërkojmë të shikohet si Shqipëria mund të kalojë në aspekte të tjera! Lidhja e Maqedonisë me Shqipërinë me një grant tjetër prej 14 mln euro dhe ajo po ashtu me miqtë tanë gjermane”, u shpreh ambasadori.

Top Channel