Hapja e doktoraturave në UBT/ Ministrja Kushi: Do të jemi shumë rigorozë për sigurimin e cilësisë dhe standardeve

28/01/2022 16:20

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi së bashku me kryeministrin Edi Rama dhe Ministren e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Frida Krifca kanë marrë pjesë në konferencën për hapjen e doktoraturës në Universitetin Bujqësor të Tiranës.

Në bashkëpunim me Qeverinë Gjermane ka nisur një program doktorature në Bujqësi, Mjedis, Bioteknologji, Agrobiznes dhe Mjekësi Veterinare, i cili synon kualifikimin e mëtejshëm të studentëve ekselentë dhe profesionistëve të rinj, duke shfrytëzuar ekselencën e Bashkimit Evropian

Gjatë fjalës së saj ministrja Kushi ka nënvizuar se UBT është i pari që e lançon këtë program.

“Ju keni qenë gjithmonë ndër universitetet më avangardë në Shqipëri, sepse diplomat e Institutit të Lartë Bujqësor (ILB) njiheshin jashtë Shqipërisë edhe në kohën kur Shqipëria ishte totalisht e izoluar nën regjimin komunist. Por sot ambiciet tuaja duhet të jenë shumë më të larta, jo thjesht të njihen diplomat tuaja në EU, por të jeni një zgjedhje e parë e preferuar për cilësinë nga studentët shqiptarë, studentët e rajonit, dhe pse jo edhe me gjerë”.

Më tej ajo shtoi se MAS do jetë shumë rigoroze, dhe pret që edhe universitetet të jenë njësoj rigorozë në respektimin pikë për pikë të të gjitha atyre kritereve, të hartuara e miratuara së bashku.

“E për ta garantuar këtë, vëmendja jonë duhet të jetë maksimale te cilësia, sepse i kemi ende të freskëta në kujtesë skandalet me doktoraturat në sistemin tonë arsimor”- tha Kushi .

Ministrja tha se hapja apo riorganizimi pas disa vitesh i programeve të doktoraturës është një tjetër arritje e rëndësishme.

“Unë ju falënderoj ju, por edhe universitetet e tjera në vend që së bashku edhe me ekspertët në MAS arritëm t’i rishikojmë të gjitha procedurat dhe aktet nënligjore, duke hartuar udhëzuesin dhe VKM përkatëse në përshtatje me ligjin e ri të arsimit të lartë”- u shpreh ministrja.

Top Channel