Hapet zjarr mbi trupat në Ukrainë, vriten 4 ushtarë!

27/01/2022 15:38

I armatosur me kallashnikov e me 200 fishekë me vete, një ushtar i Gardës Kombëtare të Ukrainës hapi zjarr në një kompleks ushtarak vendas, duke lënë të vdekur pesë persona, katër ushtarë dhe një civil.

Ky i fundit punonte si roje e fabrikës së municionit në Dniepër. Ministria e brendshme ukrainase deklaroi se nuk janë zbardhur ende arsyet e këtij sulmi vdekjeprurës. Ushtari u arrestua brenda një kohe të shkurtër nga policia.

Incidenti ndodhi në orët e para të mëngjesit, në kohën kur rojeve po u ndaheshin armët. Në mesin e të plagosurve është edhe një grua.

Ekipet hetimore njoftuan se ushtari Artern Ryabchuk që kreu sulmin është i datëlindjes 2001. Autoritetet ukrainase thanë se i riu nuk ka qenë nën mbikqyrje, pasi ai nuk kishte shfaqur probleme psiqike. Ryabchuk kishte vetëm tre muaj në shërbim.

Pas incidentit, ai nuk shfaqi ndonjë shenjë pende. Ngjarja e rëndë ndodh në një kohë tensionesh të larta në Ukrainë e mbarë Europën, për shkak të kërcënimit të një pushtimi rus.

Top Channel