Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në seancën e Kuvendit të Kosovës ku po debatohet për gjendjen e pandemisë COVID 19 ka kritikuar Qeverinë për faktin që nuk po shqetësohet për menaxhimin shpërthimit të valës së re të pandemisë.

Krasniqi tha se masat e ndërmarra nga Qeveria janë jopraktike dhe paradoksale, e cila në njërën anë ka vendosur barriera të lloj llojshme për të pa vaksinuarit, por barrierave të njëjta ju kanë nënshtruar pa kurrfarë dallimi edhe të vaksinuarit.

“Dje patëm 4,397 raste pozitive me virusin Covid 19, një numër ky që për një ditë të vetme, rezultoi me më shumë të infektuar sesa numri i të infektuarve marrë së bashku për disa muaj me radhë, gjatë dy viteve që lamë pas. Veç një muaj mbrapa, saktësisht me 26 dhjetor, kishte 12 raste pozitive. Pra për një muaj, patëm një rritje enorme të rasteve pozitive, në shkallë prej mbi 36,000% të numrit të të infektuarve për një ditë. Sa për sqarim, pikërisht me 26 dhjetor, janë konfirmuar 6 rastet e para me variantin Omicron, që tashmë është dominues edhe në mesin tonë. Por, duket se përsëri kjo valë e gjeti ne befasi qeverinë. Dhe kështu, për një muaj, nga 349 raste aktive, sot kemi 25,458 raste aktive”, theksoi ai.

Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi tha se përderisa vetëm për një muaj kemi rreth 20 mijë raste më shumë të të infektuarve, kuptohet që qeveria nuk ka hezituar të nxjerrë masa, por interes për zbatimin e tyre të mirëfilltë nuk ka pasur.

Top Channel