Klotilda Bushka, kryetarja e Komisionit të Ligjeve ka folur në “Top Talk” për reformën në drejtësi duke zbuluar se është bërë një propozim që procesi i vettingut të vijojë deri në fund të vitit 2024.
Nga ana tjetër, Bushka u shpreh se janë disa çështje pa shqyrtuar për një sërë faktorësh, një prej të cilave është vettingu, ndaj procesi që pritej të realizohej brenda qershorit të këtij viti, pritet të shtyhet me 2 vite të tjera.
Bushka: Vettingu është një nga shtyllat e reformës në drejtësi. Të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e Republikës së Shqipërisë i janë nënshtruar një procesi të përkohshëm verifikimi të pasurisë, integritetit dhe profesionalizmit të tyre me qëllim që të krijohet një trup me besueshmëri të lartë publike e integritet të lartë profesionale, morale dhe etike në shoqëri që garanton eficencë në sistemin e drejtësisë.
Është një proces i përkohshëm që ka një afat. Në Kushtetutë është parashikuar që ky afat të mbarojë në qershor të vitit 2022. Duke pasur në konsideratë faktin e shumë faktorëve si pandemia që ka vonuar shumë procese në sektorë të ndryshëm dhe nuk mund ta linte pa prekur procesin e vettingut, nuk është e mundur të realizohet ky proces brenda qershorit të vitit 2022. Për këtë arsye kur mbeten më shumë se 1/3 e çëshjeve e pashqyrtuar, është propozuar një shtyrje e afatit. Ky propozim parashikon që të vijojë me sukses për mbylljen e të gjitha çështjeve të vettingut deri më 31 dhjetor 2024. Pra ti japim një shtyrje.
Top Channel