Top Story/ Raportet e auditit të AKBN-së miliona euro shpenzime fiktive, rroga marramendëse, udhëtime dhe akomodime në hotele luksoze. Si shfrytëzohet nafta e shqiptarëve të varfër?

26/01/2022 23:34

Top Story ka siguruar Auditet teknike të AKBN-së ndaj Bankers Petrolium që nga viti 2011-2016. Megjithë humbjet e njohura, Bankers ka bërë shkelje ët jashtëzakonshme duke përfshirë te shpenzimet për operacionet hidrokarbure, shpenzime miliona dollarshe që nuk kanë lidhje me aktivitetet sipas kontratës.

Në dhjetor 2014, AKBN dorëzon Raportin Fillestar të Auditimit për vitin 2011. Raporti deklaron se 299 milionë nga 384 milionë dollarë kosto ishin të parekuperueshme. Në mars 2015, Bankers kundërshton raportin. Në korrik 2015, AKBN firmos raportin final të auditit për vitin 2011, ku pohon se 51 milionë nga 299 milionë dollarë të pretenduara si kosto të parekuperueshme, janë të justifikuara, por pjesa tjetër prej 248 milionësh nuk janë të justifikuara.

Në shtator 2015, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dorëzon një vlerësim fiskal te Bankers bazuar te raporti i AKBN. Tatimet kërkojnë 56 milionë dollarë tatim fitimi dhe 4 milionë dollarë gjoba. Bankers hedh poshtë pretendimin dhe i drejtohet Gjykatës së Arbitrazhit. Në janar 2016 Bankers bie dakord me qeverinë që të paguajë detyrimin me këste me kushtin që çështja të shqyrtohet nga një panel ekspertësh.

Sipas auditit të asokohe, Bankers pretendonte se gjatë vitit 2011, u detyrua të përdorë 50 për qind më shumë diluent nga sa qe parashikuar ndërkohë që çmimi i diluentit u rrit nga 88 në 134 dollarë për fuçi. Diluenti është një lëndë hidrokarbure e lehtë, e cila shërben për të holluar naftën e rëndë që prodhohet në pellgun e Patos Marinzës për të lehtësuar transportin.

Kostoja totale e diluentit u rrit nga 30.7 në 45.4 milionë dollarë. AKBN fillimisht refuzoi të pranojë si kosto të rekuperueshme shumën shtesë të shpenzuar prej 14,7 milionë dollarësh, me argumentin se përdorimi i diluentit me tepri qe i pajustifikuar dhe gjithashtu rritja e çmimit qe e paparashikuar në buxhet.

Bankers është dyshuar se ka mundësuar importimin me sasi të tepërta të panevojshme për diluentin me justifikimin e përdorimit të tij për nxjerrje nafte, por që supozohet se në fakt, një pjesë e diluentit shtesë është shitur në treg si naftë për automjtete. Kjo do të thotë me çmim disa fish të lartë sepse kur diluenti importohet për operacionet e naftës, zhvishet nga taksat, kur shitet si karburant automjetesh në treg, i vendosen shtatë taksa.

Një absurditet tjetër është se pjesa më e madhe e kompanive që punojnë me Bankers kanë norma fitimi të pazakonta, të cilat arrijnë në 30- 70 për qind mbi të ardhurat dhe se këto fitime janë të realizuara në vijimësi. Shumica e këtyre kompanive veprojnë të regjistruara nëpër parajsa fiskale, siç vepron edhe vetë Bankers. Ekspertët e pavarur i japin të drejtë Bankers dhe AKBN dërgon kompaninë në arbitrazh më 2016.

Top Channel