Ishin kaq pranë vendit të ëndërruar, por nuk e arritën dot: shtatë emigrantë humbën jetën nga hipotermia mes të ftohtit të acartë shumë pranë brigjeve të ishullit Italian të Lampeduzës.
Ata ishin në një anije prej druri të mbushur plot. Rojet bregdetare italiane arritën të shpëtojnë rreth 280 emigrantë të tjerë. Tre prej viktimave vdiqën kur forcat italiane po afroheshin mes ujrave të trazuar, ndërsa katër të tjerë dhanë shpirt teksa transportoheshin drejt ishullit. Pjesa më e madhe e tyre ishin nga Egjipti dhe Bangladeshi.
Dy anije të rojes bregdetare kryen shpëtimin ndërsa një varkë nga policia financiare e Italisë qëndronte në afërsi gjatë opeacionit që u ndërlikua së tepërmi për shkak të dallgëve.
Autoritetet italiane pohuan se anija 20 metra e gjatë ishte ende ujërat e Tunizisë, por ekipet vendase nuk kishin qenë në gjendje ta gjenin. Ajo u diktua më vonë në zonën italiane të kërkim-shpëtimit.
OKB thotë se viti 2021 ka qenë më vdekjeprurëse për rrugën e kalimit në Mesdheun qendror që nga viti 2018, me të paktën 1,315 të vdekur.
Top Channel