Tre persona u arrestuan dhe katër të tjerë u shpallën në kërkim pas zbulimit të dy laboratorëve në fushën e prodhimit të kriptovalutave.
Burime nga policia thanë se në pranga ranë shtetasit A. Ç, 26 vjeç dhe Rr. D, 36 vjeç, banues në Tiranë si dhe L. Xh, 23 vjeç, banues në Lushnje. U shpallën në kërkim E. H., M.Gj, E.H dhe Th.Z, banues në Tiranë.
Sipas të njëjtit njoftim, deri më tani, vlerësohet se për krijimin e këtij aktiviteti këta shtetas kanë shpenzuar rreth 1.000.000 euro.
Mësohet se nga hetimet e kryera nga “Njësia C – për Hetimin e Krimeve Kibernetike, rezultoi se këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer veprime me qëllim ngritjen e dy strukturave për prodhimin e kriptovalutave, të cilat krijohen me anë të futjes dhe ndryshimit të të dhënave kompjuterike në pajisje elektronike, duke krijuar përfitime monetare si dhe shmangien e procedurave ligjore në lidhje me detyrimet ndaj shtetit, por dhe funksionimin e rregullt të këtij aktiviteti për sa i përket të ardhurave duke shfrytëzuar, keqinterpretuar dhe keqpërdorur hapësirat ligjore.
Në njoftimin për mediat, policia thotë se nga verifikimet e kryera, ka rezultuar se këta persona edhe pse nuk kanë marrë një përgjigje pozitive nga Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare për krijimin e këtij aktiviteti, kanë vendosur ta zhvillojnë këtë aktivitet, i cili bie ndesh me ligjin “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”, duke qenë se nuk plotëson asnjë nga kriteret e vendosura në këtë ligj.
“Asnjë aspekt i veprimtarisë së këtyre shtetasve nuk është i qartë përsa i përket aseteve të kompanisë, zhvillimit të aktivitetit, deklarimit të fitimit, futjes së të dhënave kompjuterike me qëllim përfitimin monetar etj”, citohet nga njoftimi.
Me cilësinë e provës materiale u sekuestruan 631 copë pajisje elektronike për prodhimin e kriptovalutave, 630 copë panele diellore, 360 copë pajisje elektronike për sigurimin e vazhdueshëm të energjisë elektrike, 71 copë pajisje kompjuterike për procesimin e të dhënave, 71 copë pajisje kompjuterike për ruajtjen e përkohshme të të dhënave, 71 copë Hard disqe të jashtme, 71 copë pajisje elektronike për stabilizimin e temperaturave, pajisje elektronike për shpërndarjen e internetit, pajisje kompjuterike të lëvizshme dhe dokumenta të ndryshme të subjekteve, fatura financiare, shënime të ndryshme etj.
Materialet hetimore u dërguan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për vazhdimin e veprimeve të mëtejshme hetimore.
Top Channel