Mëngjesin e së enjtes, Isa Et’hemi u drejtua për në KESCO të paguaj faturën e energjisë elektrike prej 70 eurosh. Një shumë të përafërt thotë se e paguan çdo muaj.

Isa Et’hemi: Çdo muaj paguaj rregullisht, këtë muaj më ka ardhë 72 euro. Muajve të tjerë më ka ardhë njëjtë, prej 52 euro deri në 70.

Et’hemi thotë se shpenzon energji elektrike mbi 1000 kWh në muaj. Sipas tarifave të reja ai do të detyrohet të paguaj rreth 120 euro, për të njëjtin konsum, që për të është vështirë e përballueshme.

Isa Et’hemi: Qind për qind do të duhem të paguaj më tepër, e ku do të mbërrijë Zoti e di se me pension.

Nga rritja e tarifave që fillojnë së aplikuari së shpejti preken të gjithë konsumatorët që e kalojnë bllokun prej 600 kWh të përcaktuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.

Konsumatori shtëpiak që energji elektrike ka shpenzuar 611 kWh në muaj faturën e ka paguar rreth 43 euro. Mirëpo, që nga muaji shkurt ai do të detyrohet të paguaj 49 euro për shkak të rritjes së tarifave. Nëse Qeveria alokon mjetet e premtuara si subvencion atëherë totali i faturës zbret në 44 euro.

Me këtë subvencion e paprekur do të mbetet tarifa prej 7 centësh për konsumatorët që shpenzojnë më pak se 600 kWh energji elektrike në muaj si dhe bizneset.

Top Channel